Një “dragua deti” gjigand e prehistorik, i zbuluar së fundmi në Midlands të Anglisë, është përshkruar si një nga gjetjet më të mëdha në historinë e paleontologjisë britanike.
Ichthyosauri, i cili është rreth 180 milion vjeç me një skelet me gjatësi rreth 10 metra dhe një kafkë që peshon rreth një ton, është fosili më i madh dhe më i plotë i këtij lloji, i gjetur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Joe Davis dhe Rutland Ëildlife Trust e zbulan atë në rezervuarin e ujit në Rutland në shkurt të vitit 2021.

Ichthyosaurët e parë, të cilët quhen dragonj deti sepse priren të kenë dhëmbë dhe sy shumë të mëdhenj, u zbuluan nga gjuetarja e fosileve dhe paleontologia Mary Anning në fillim të shekullit të 19-të.
Dean Lomax, një paleontolog që ka studiuar speciet, tha: “Pavarësisht nga fosilet e shumta të ichthyosaurëve të gjetura në Britani, është mbresëlënëse të mendohet se ichthyosauri Rutland është skeleti më i madh i gjetur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Është një zbulim vërtet i paprecedentë dhe një nga gjetjet më të mëdha në historinë paleontologjike britanike.”
Ichthyosaurët, të cilët ishin zvarranikë detarë, u shfaqën për herë të parë rreth 250 milion vjet më parë dhe u zhdukën 90 milion vjet më parë. Ata varionin në madhësi nga 1 në më shumë se 25 metra dhe u ngjanin delfinëve në formën e tyre të përgjithshme të trupit.

Eshtrat u gërmuan nga një ekip ekspertësh nga e gjithë Britania e Madhe gjatë muajve gusht dhe shtator.
Mark Evans nga British Antarctic Survey, i cili ka studiuar fosilet e zvarranikëve të Rutland dhe Leicestershire për më shumë se 20 vjet, tha se edhe nga pamja e parë e fosilit pjesërisht të ekspozuar ishte e qartë se ishte ichthyosauri më i madh i zbuluar në Rajon.
“Megjithatë, vetëm pas gërmimit tonë hulumtues kuptuam se ishte praktikisht i plotë deri në majë të bishtit,” tha ai. “Është një zbulim shumë domethënës si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, por gjithashtu me rëndësi të madhe për njerëzit e Rutland dhe zonën përreth.”









































