Mançester Siti përmbys PSG-në, por kualifikohen të dyja, Milani shtang Atletikon, Reali hakmerret me Sherifin

0
15

“Qytetarët” mposhtën PSG 2-1 në grupin A. Reali dhe Interi kualifikohen pa probleme në grupin D, Milani rifutet në valle dhe ëndërron në grupin B

Në grupin A, kryendeshja ishte ajo mes Mançester Sitit dhe Paris San Zhermen, e fituar me përmbysje nga anglezët 2-1. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Stërling dhe Jezus zhvlerësuan golin e Mbape dhe Siti mori kryesimin e grupit me 12 pikë, duke e siguruar përfundimisht vendin e parë. PSG mbetet e dyta me 8 pikë, por e kualifikuar matematikisht. Po në këtë grup, Leipzigu bëri surprizën e madhe, pasi mundi në duel direkt Klub Bruzhin, 0-5, dhe ia mori vendin e tretë, duke siguruar të paktën një vend në Europa League, por jo matematikisht se mbetet dhe një xhiro nga fundi. Në grupin B, Liverpuli, i cili e kishte siguruar kualifikimin, priti mbrëmë Porton, të cilën e mundi 2-0. Në të vërtetë lufta në këtë grup bëhej për vendin e dytë, ku Atletiko e Milan dhuruan emocione të forta. Gjithsesi, një gol i Mesias në të 78’ bëri që Milani të shtangë Atletikon brenda në Madrid, duke u rifutur në lojë për të paktën një vend në Europa League. Duelin e fundit Milan e luan me Liverpulin, kurse Atletiko e Porto do të përplasen për vend të dytë. Në grupin C, Ajaksi siguroi fitoren e pestë në po kaq ndeshje, duke mos toleruar ndaj askujt dhe duke qenë me meritë në vend të parë. Holandezët mundën dje në Stamboll Beshiktashin me rezultatin 2-1. Po në grupin C, një duel direkt për vendin e dytë ishte ai mes Sportingut të Lisbonës dhe Borusias së Dortmundit, e cila dhuroi emocione dhe spektakël. Fituan 3-1 portugezët që e sigurojnë matematikisht kualifikimin, kurse gjermanët do të zbresin në Ligën e Europës. Në grupin D, Reali i Madridit nuk mund t’i lejonte vetes të zhgënjente sërish me moldavët e Sherif Tiraspolit, prandaj e mundi atë me shifrat 3-0 dhe duke kap kreun e renditjes me 12 pikë. Interi e zgjidhi si duhet çështjen e kualifikimit mbrëmjen e djeshme, pasi mposhti Shakhtarin 2-0 dhe siguroi një trepikësh që e ngjiti në kuotën e 10 pikëve, praktikisht e pakapshme, pra zikaltrit italianë sigurojnë kalimin e fazës së grupeve. Xhiron e fundit Interi dhe reali do të përplasen kokë më kokë për vend të parë në grupin D.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj