Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Klemend Balilit për ndryshimin e burgut për vuajtjen e dënimit.
Klemend Balili ka mundur të marrë dakordësinë për të lëvizur nga një burg i sigurisë së lartë siç është ai i Peqinit, të shkoj në një burg të sigurisë së zakonshme.
Vendimi është marrë në datën 9 korrik në Gjykatën e Elbasanit, pas disa seancave. Aprovimin për ndërrimin e burgut të vuajtjes së dënimit për Klemend Balilin e ka dhënë edhe prokuroria, e cila i ka pohuar gjykatës dakordësinë pas akteve të ekspertimeve të mjekëve.
Balili ka mundur të kaloj në një burg të sigurisë së zakonshme për shkak të përkeqësimit të shëndetit, pasi burgu i Peqinit nuk i krijonte kontakt të zakonshëm me mjekët dhe familjarët.
Klemend Balili është dënuar me dhjetë vite burg nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli më 17 tetor të 2019-ës. Ai u dënua për trafik të lëndëve narkotike, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe refuzim të deklarimit të pasurisë.








































