Pas vizitës dy ditore ne Prishtinë, i Dërguari Special i BE mbi dialogun mes Kosovës dhe Prishtinës Miroslav Lajçak, i shoqëruar dhe nga Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer kanë vizituar Beogradin ku kanë zhvilluar takime me liderët vendas atje. Në një deklaratë për “Euro News”, Lajçak theksoi faktin që një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit i i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është e vetmja rrugë e këtyre dy shteteve që të konkludojnë rrugën europiane me anëtarësim në union. “Nuk ka asnjë rrugë tjetër rreth dialogut si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”, tha Lajçak. “Rruga e tyre evropiane kalon përmes dialogut. Kjo është ajo që ka rëndësi. Kurti e di atë, gjithashtu edhe Vuçiç”, nënvizoi ai. Përfaqësuesi i BE bëri me dije se takimi mes liderëve të dy vendeve të përfshira në dialog, do të ndodhë shumë shpejt, gjë që nëse i referohemi deklaratës së tij të dhënë në Prishtinë, është vetëm çështje ditësh. “Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të takohen menjëherë për të rifilluar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do t’i vendosë të dy kombet në një rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak. Një deklaratë e tij e cila prek drejtë për drejtë besueshmërinë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, është ajo se në momentin që Lajçak i është kërkuar një koment lidhur me atë që Kurti deklaroi se nuk mund të kishte krijim të një asociacioni një etnik referuar komunave serbe, Lajçak është shprehur se ajo që ka rëndësi është ajo që liderët kanë thënë pas dyerve të mbyllura. “Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është ajo që është thënë në takim, ajo që të dy palët ulen së bashku dhe diskutojnë. Padyshim, ata bëjnë shumë deklarata publike … por ajo që ka vërtet rëndësi është ajo që thuhet në takime”, tha ai. Sa i përket çështjes së genocidit serb në Kosovë, Lajçak tha se kjo ende nuk është bërë zyrtare. “Padyshim, ka pasur deklarata për publikun, për mediat, por ajo që ka rëndësi është qëndrimi zyrtar që do të paraqitet në takim. Ne vazhdimisht u përsërisim partnerëve tanë se është gjithashtu përgjegjësia e tyre të krijojnë një atmosferë që është e favorshme për një proces pozitiv të dialogut dhe të përmbahen nga veprimet ose deklaratat e njëanshme që kanë tendencë të përkeqësojnë armiqësinë”, është shprehur ai.
Raportet BE-SHBA
Zoti Lajçak ka folur edhe në lidhje me koordinimin me SHBA mbi dialogun dhe ndryshimin që një bashkëpunim mes tyre ka pësuar nga ndryshimi i administratës dhe ardhja në pushtet të presidentit amerikan Joe Biden. Zoti Lajçak ishte pozitiv në lidhje me ndryshimin e qeverisë duke thënë se negociatorët e BE-së tani kishin marrëdhënie më të afërt pune me Shtetet e Bashkuara. Një tjetër deklaratë e tij e cila u konsideruar e rëndësishme dhe që pritet të ngjallë debat është fakti që zoti Lajçak u shpreh se marrëveshja e nënshkruar në Uashington nga ish Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuciç nuk ka vlerë dhe se ajo që vërtetë ka një vlerë legjitime është pa dyshim dialogu i ndërmjetësuar nga BE. “Ata nuk përfaqësojnë një marrëveshje. […]. Është vetëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja që ka legjitimitet ndërkombëtar”, tha ai. Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar edhe zyrtari i LDK-së, Faton Bislimi. Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se këto deklarata shpërfaqin pikërisht inferioritetin e madh që Lajçak ndjen ndaj SHBA-ve, dhe përçmimin ndaj Kosovës. “Kush më shumë se SHBA i japin legjitimet ndërkombëtar dialogut dhe marrëveshjes finale? A ishte Lajçak apo amerikani Palmer që takoi lidershipin politik të Kosovës duke përfshirë opozitën? Cili tregoi përkushtim më të madh dhe korrektësi më të lartë ndaj Kosovës?A nuk është BE që ende si e tillë nuk e ka njohur Kosovën sovrane dhe në selinë e vet, ku e ka zyrën Lajçak nuk zë vend askund flamuri shtetëror i Kosovës as edhe kur qeveritarët tanë janë të pranishëm aty”, u shpreh ai.