Romeo Kara: Gati të dëshmoj kundër Berishës për të faktuar korrupsionin, amerikanët janë në dijeni për aferën e CEZ, të hetohet dhe t’i sekuestrohet pasuria

0
165

Juristi Romeo Kara e ka cilësuar shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA, si një ogur të mirë për të gjithë shqiptarët. Duhet theksuar se Kara është ndër të paktët persona që ka folur shumë për korrupsionin e qeverisë “Berisha”. Ai ka pasur disa procese gjyqësore me djalin e ish-kryeministrit, ndërsa ka bërë dhe dy padi penale ndaj tij. Në një intervistë për gazetën ai është shprehur se sekretari amerikan Blinken në qëndrimin e tij është tërësisht i saktë në atë që thotë. Edhe pse Berisha e mohon që të ketë procese gjyqësore dhe padi ndaj tij, Kara tregon se vetëm ai e ka paditur në dy raste. Sipas juristit, SHBA veproi në kohën e duhur dhe vendimi saj duhet të shërbejë si një mesazh për të gjithë. Juristi shkon më tej duke thënë se është gati të dëshmojë në çdo proces gjyqësor kundër Berishës, përfshirë edhe gjyqin që ai do të hapë kundër Blinken. Kara deklaron në intervistë se ai do të dëshironte shumë të ishte dëshmitar për të faktuar korrupsionin e Sali Berishës. Madje juristi ka treguar se në duart e amerikanëve kanë shkuar edhe dosjet e aferës së CEZ. Sipas informacioneve, muaj më parë Kara u ka dërguar dy Senatorëve dosjet në fjalë, ndërkohë që një vit më parë këto dosje i ka dërguar edhe në ambasadën amerikane. Ai shprehet se shpreson që SHBA t’i ketë marrë për bazë në vendimin ndaj Berishës. Në intervistën që ka dhënë për gazetën “SOT”, Kara ka folur dhe për zhvillimet e tjera politike, përfshirë edhe presidentin. Ai shprehet i bindur se fatin e Berishës do të ketë edhe presidenti Meta. Sipas tij, menjëherë pas shkarkimit ai do të shpallet non grata dhe do të nisë hetimi penal nga prokuroria.

-Zoti Kara, gjatë kësaj jave ka ndodhur një zhvillim jashtëzakonisht i bujshëm në vend. Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli të padëshirueshëm ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e akuzuar si të përfshirë në afera korrupsioni dhe që ka përdorur postin për të vënë pasuri, ai fëmijët dhe aleatët e tij. Ju keni qenë ndër “armiqtë” më të fortë të tij. Si e shihni këtë vendim të DASH?

Shpallja non grata e Berishës nga State Department është realisht një sihariq për popullin shqiptar, njerëzit që aspirojnë për drejtësi dhe shtet ligjor dhe kushdo që në një mënyrë apo tjetër ka vuajtur prej 30 vitesh pasojat e këtij sistemi politik kleptokratik, strumbullar, frymëzues dhe garant i së cilës është pikërisht Berisha. U shpall non grata jo vetëm Berisha, por i gjithë sistemi dhe ne shumë shpejt do të shohim atë që pason këtë sihariq, fillimin e një apo më shumë proceseve penale përkundër tij dhe familjes së tij, sekuestrimin e pronave, burgosjen, dënimin, konfiskimin e pasurive pas dënimit etj. Shpallja e tij non grata është sinjali i qartë se pandëshkueshmëria e krimit politik, krijimi i idhujve mbi ligjin dhe pengmarrja politike e vendit shumë shpejt do të marrin fund. Tani ligji do të flasë dhe ndëshkimi i merituar i tij do të jetë një shembull edhe për këta që po qeverisin sot dhe për ata që do të vijnë nesër. Ky sistem i degjeneruar politik po përjeton ditët e fundit të tij. 19 maj 2021 duhet shënuar si dita kur rilindi shpresa në Shqipëri. Realisht tani kemi shpresë se vendi ynë do të bëhet.

-Ju keni qenë ndër të paktët njerëz që keni denoncuar me fakte se qeveria e ish-kryeministrit ka qenë e zhytur në korrupsion. Madje ju keni bërë dhe disa padi, ku duhet theksuar se kemi një padi për privatizimin e ish-OSSH dhe një tjetër padi për aferën CEZ-DIA. Në bazë të informacioneve që unë kam, ju dosjet e CEZ i keni dërguar dhe në SHBA. Mendoni se kanë ndihmuar sadopak në vendimin kundër tij?

Shpresoj shumë që të kem kontribuar sado pak në këtë drejtim. Jo vetëm kam dërguar disa kopje të atyre dosjeve, por edhe kam ofruar një ndihme modeste në favor të Guy Lawson, gazetari i cili fitoi gjyqin ndaj të birit të Berishës në Florida lidhur me çështjen e Gërdecit. Shpresoj shumë që në rast se do te kemi një proces gjyqësor në Francë, të iniciuar nga Berisha përkundrejt Anthony Blinken, të marr pjesë edhe drejtpërsëdrejti në proces, duke faktuar korrupsionin e Berishës në së paku dy raste dhe t’i faktoj çdokujt se thënia e tij, që në 30 vite askush nuk e ka akuzuar për korrupsion, është jo vetëm gënjeshtër, por edhe e papërgjegjshme dhe qesharake. Sidoqoftë, Berisha nuk do ta ketë të lehtë të hapë një proces në Francë, proces i cili do të qorrollepset gjatë në diskutimet për kompetencën dhe më pas nuk do të ketë kurrë shansin t’u imponohet vendimeve të State Department. Berisha është tashmë i mbyturi që kapet pas fijeve të barit. Edhe pse kjo fije është nga bari francez, përsëri është e pamjaftueshme për t’i bërë derman atij. Fati i tij tashmë është i vulosur dhe për herë të parë, ky person që ka vendosur për 30 vite fatin e shqiptarëve nuk është në gjendje të vendosë për fatin e tij.

-Duke kaluar te aktualiteti politik, jemi afro 1 muaj pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe akoma vijon debati për rezultatin. PD-LSI flasin për masakër zgjedhore dhe kanë ankimuar rezultatin. Si jurist në profesion, sa gjasa ka që të kemi rivotim në disa qarqe?

Të trija partitë kryesore deri dje, se tashmë LSI e humbi këtë status, PS, PD dhe LSI, janë me ligj zotëruesit e sistemit tonë zgjedhor dhe pikërisht këto të tria së bashku nuk kanë asnjë lloj të drejte morale për t’u ankuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kodin Zgjedhor e kanë miratuar në kompromis të treja së bashku, komisionerët i emërojnë dhe kontrollojnë po ata, kështu që le t’ia drejtojnë gishtin vetes nëse ka patur cënim të procesit zgjedhor. Si gjithmonë humbësi nuk e pranon rezultatin, sidomos kur është e treta radhazi. Nëse do t’i fitonin zgjedhjet, padyshim që do t’i jepnin merita vetes, por duke ditur që humbja pasohet me kriza të përgjegjësisë së tyre brenda partive, ia faturojnë humbjen vjedhjeve dhe manipulimeve imagjinare. Fatkeqësisht opozita ka liderë që vuajnë nga mungesa e burrërisë për të pranuar realitetin. Askush nuk ka parë, faktuar dhe provuar një masakër zgjedhore. Përkundrazi të gjithë pamë një çakërdisje, dhunë dhe vrasje, si dhe thirrje për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues nga liderët e opozitës. Nuk jam në dijeni të plotë të provave të ofruara nga opozita apo ato të cilat po dalin nga verifikimet, por ajo ç’ka është servirur deri më tani, lë pak vend për ripërsëritje të pjesshme të zgjedhjeve dhe ndryshim të rezultatit të tyre. Populli votoi dhe vëzhguesit e huaj e thanë tashmë fjalën e tyre dhe ky kapitull mund të quhet i mbyllur.

-Në PD ka nisur një debat i brendshëm. Disa kërkojnë largimin e Bashës, ndërkohë që më 13 qershor do të kemi zgjedhje për kryetarin. Si e shihni situatën në Selinë Blu?

Nëse PD mori disa vota, realisht ato janë për meritë të Bashës, por humbja fle tek thelbi dhe jo tek pamja. Basha është një koperturë e thelbit Berisha. Berisha ia delegoi PD-në Eduart Selamit dhe Tritan Shehut dhe ata asnjëherë nuk i gënjeu mendja se ishin kryetarët realë të saj. E kam thënë prej vitesh se Basha është thjesht një administrator me të drejta të kufizuara të ndërmarrjes PD. Në vitin 2017, marrëveshja Basha-Rama u konsiderua win-win story nga Berisha dhe pothuaj të gjithë ministrat e PD-së u ofruan nga klani Berisha. Edhe grupet e sulmit medemek për mbrojtjen e votave SMV vijnë totalisht era Berishë. Strukturat kryesore të partisë kontrollohen gjithashtu nga njerëz të besuar të Berishës. Unë përpara pak ditësh kam deklaruar lidhur përsa më sipër se: Përsa kohë që PD është në unitet të padiskutueshëm vetëm rreth Berishës dhe e hapur për diskutim ndaj kujtdo tjetër, përsa kohë që PD nuk e drejton gishtin e arsyeve të dështimeve drejt vetes së saj, përsa kohë që humbja e radhës nuk pasohet nga një analizë reale ndaj thelbit të problemeve brenda saj, të cilat fillojnë dhe mbarojnë tek Berisha, përsa kohë që do te shkruhet prej saj me gërma të arta vjedhja, dhuna, krimi dhe paligjshmëria e kryer prej liderëve të saj, përsa kohë që karriera brenda saj bëhet vetëm duke kërkuar bekimin e Berishës dhe jo rivlerësimin e tij, për aq kohë PD do të vazhdojë dhe duhet të vazhdojë në rrokopujën e theqafjes se saj. Pra, situata brenda PD flet për një krizë nga menaxhimi i së cilës do të varet vetë e ardhmja e PD-së. A do të pranojë anëtarësia e PD-së të mbetet peng e interesave berishiane, kjo ngelet për t’u parë. Gjithsesi vendit i duhet një opozitë reale, zëdhënëse e vërtetë e interesave të njerëzve të papërfaqësuar në pushtet.

-Ajo që vihet re është se Berisha nuk ka folur fare për këtë çështje. Është apo jo Berisha në krah të Bashës?

Tashmë ka përfunduar me turp koha që të flasë Berisha. Sekretari Amerikan i Shtetit e përcaktoi ndërmjet të tjerave si, minues të demokracisë, të korruptuar familjarisht, shpërdorues pushteti dhe pengmarrës të fateve të vendit për llogaritë e tija personale.

Politika nuk duhet të bëhet pa moral dhe pikërisht tani Berishës iu vu ndërkombëtarisht vula e turpit. Berisha nuk është kundër kukullës së tij Basha, por ai për interesat e tij sigurisht që do ta shiste edhe Bashën, për t’i faturuar atij humbjen e tretë. Të gjithë kundërshtarët e Bashës në PD kërkojnë prononcimin e tij, por ai nuk do të rrezikojë të përfshihet në përplasje direkte me Bashën. Tashmë edhe ai është peng tek Basha. Me sa duket po i dështon plani për të katapultuar të birin apo dhëndrin në krye të PD-së. Për herë të parë, Berisha nuk e kontrollon më fatin e tij. PD do ta kuptojë se shkaku i humbjeve të saj është vetë Berisha dhe duhet të distancohet prej tij.

Romeo Kara: Gati të dëshmoj kundër Berishës për të

-PS ka nisur një proces shkarkimi për presidentin. A duhet shkarkuar Meta për thirrjet gjatë fushatës? Në shumë raste u rreshta krah opozitës, ndërsa kulmi arriti kur bëri thirrje për të mprehur sfurqet e sëpatat. Po atë ditë një person u vra në Elbasan.

Së pari, Meta nuk duhej zgjedhur president. Ai ishte simbol i korrupsionit pa u zgjedhur president. Meta dhe afera DIA-CEZ janë bërë simbole të njëri-tjetrit, për të mos thënë që është simbol edhe i krimeve të tjera përveçse atij të korrupsionit. Së dyti, ai ka shkelur hapur dhe në mënyrë të përsëritur Kushtetutën, ka destabilizuar vendin dhe ka bërë thirrje të hapura e të përsëritura publike për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues. Meta kaloi çdo etikë qytetare e jo më presidenciale me retorikat e tij kërcënuese, si dhe mori pjesë në fushatë si drejtues de facto i LSI-së. Përfundimisht ai e ka mbushur kupën dhe do të ishte në nderin e këtij Parlamenti, që në mbyllje të mandatit të tij, t’i kthenin dinjitetin institucionit të Presidentit, duke e shkarkuar unanimisht politikanin më antipatik në Shqipëri.

-Në korridoret e politikës flitet për një skenar të mirëorganizuar (me mbështetje dhe nga jashtë) për të shkarkuar Metën dhe për ta dërguar para drejtësisë. Mendoni se presidenti do ketë një fat të tillë?

Padyshim që Meta e di më së miri këtë fakt dhe pikërisht kjo gjë e ka çakërdisur deri në shpërfytyrim këtë kumbar të krimit shqiptar dhe më gjerë. Me çfarë mund të shpjegohet tjetër xhindosja e tij për daljen nga kontrolli të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Pikërisht rënia e kontrollit të tij mbi këto gjykata e shtojnë shpresën për një gjykim të tij lidhur me një sërë aferash dhe krimesh të tjera.

-A e ka të vështirë drejtësia të nisë hetimet kundër tij? Duhet theksuar se një dosje plot me fakte ndodhet në SPAK falë jush, dosja CEZ-DIA.

Ajo dosje është tashmë gati dhe sigurisht që do t’u hapë rrugë edhe hetimeve të tjera. Asgjë nuk është e vështirë nëse do të jetë integriteti dhe kurajoja e duhur. Sot sfida është, të përballemi me krimin në përgjithësi dhe me korrupsionin në veçanti. Patjetër që institucionet shqiptare do të ringrihen në lartësinë e këtij misioni.

-Ambasadorja e SHBA tha të martën se qëndrimi i saj kundër Metës ishte konsultuar me Uashingtonin. Pra mund të themi se Uashingtoni e ka futur Metën në listë të zezë dhe a mendoni se pasi të lërë postin rrezikon të shpallet “non grata” njësoj si ish-kryeministri Berisha?

Besoj se pas shkarkimit të tij si president, do t’i vijë edhe atij, ashtu si dhe mikut të tij Berisha, i njëjti portretizim turpi nëpër tweeterin e Anthony Blinken. Mund të themi biles që ai e shpalli vetë veten “non grata” me atë shpërthim që bëri pak ditë përpara zgjedhjeve kur foli edhe për Malin me Gropa. Nuk e di a do të shkojë ai në atë mal, por jam i sigurtë që në Malin e Korrupsionit është.

-SPAK ka nisur të hapë disa doje të vjetra. Kërkoi gjykimin e Mediut për Gërdecin, ndërsa një dosje e fundit e rihapur është ajo e vrasjes së Artan Santos. Me aq informacione sa ju keni dhe duke qenë se për 7 vite kjo dosje u mbajt në sirtar, a mund të ketë njerëz me pushtet të përfshirë dhe a mund të sjellë rihapja e kësaj dosje zhvillime të forta në aspektin e drejtësisë?

Gërdeci është qartësisht një korrupsion berishian dhe më gjerë, pa hequr mundësinë e interferimit të agjencive të huaja inteligjente. Lidhur me çështjen Santo, që sigurisht ka lidhje me bankën më të përfolur në Shqipëri, dihen mirë autorët, shtytësit, ekzekutuesit, ndihmuesit, përfituesit etj., të cilët janë përmendur disa herë edhe në media. Padiskutim që në këtë çështje ka përfshirje të njerëzve me pushtet financiar, politik dhe kriminal përderisa kjo çështje u mbajt peng për shtatë vjet me radhë. Rihapja e kësaj çështje, jep sinjalin e qartë se, SPAK-u ka filluar seriozisht nga puna, se përballja po fillon dhe se erëra të reja po fryjnë.

Romeo Kara: Gati të dëshmoj kundër Berishës për të

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj