Google search engine
Home Sport Bajrami ngjitet në Serinë A, Cikalleshi në 11-shen e javës në Turqi

Bajrami ngjitet në Serinë A, Cikalleshi në 11-shen e javës në Turqi

0
256

Ditën e djeshme Empoli siguroi kthimin në Serinë A, teksa pjesë e rëndësishme e skuadrës është edhe lojtari shqiptar, Nedim Bajrami, i cili është aktivizuar në 34 ndeshje të këtij sezoni. Bajrami ka qenë dje protagonist në fushën e blertë me Empolin. Mesfushori ka shënuar golin e katërt teksa pas një harkimi realizoi me kokë duke fiksuar rezultatin përfundimtar në 4-0 për të tijtë që mposhtën Kozencën dhe siguruan rikthimin në Serie A kur kanë mbetur edhe dy javë kampionat. Ky ishte goli numër pesë për lojtarin shqiptar teksa ka rezultuar në këtë sezon si një nga futbollistët më të rëndësishëm të friulianëve dhe në sezonin e ardhshëm do të ketë mundësinë të luajë në elitën e futbollit italian. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse synimin për të qenë pjesë e Serisë A, Bajrami do ta realizojë me Empolin apo me ndonjë ekip tjetër duke qenë se ka pasur oferta, një prej tyre është klubi i Sampdorias. Siç thamë, mesfushori shqiptar, ndër të tjera, ka realizuar edhe 5 gola e gjithashtu ka kontribuar edhe me 1 asist. Në këtë formë, 22-vjeçari ka rënë në sy edhe të klubeve të Serisë A si Sampdoria, megjithatë trajneri i Empolit, Alesio Dionisi shpreson ta shohë Bajramin në elitë me fanellën e Empolit, ndërsa thekson se ai është një lojtar i denjë për nivelin më të lartë të futbollit italian. “Mankuzo dhe Bajrami kanë mundësi të hyjnë në Serinë A nga porta kryesore, ne mund ta arrijmë këtë objektiv dhe nëse bëjnë mirë dhe e meritojnë në fushë, atëherë do të bëjnë mirë edhe në nivelin superior. Unë jam në vitin tim të dytë në Serinë B dhe ndoshta nuk më takon ta gjykoj, por për mua ata janë lojtarë të kalibrit të Serisë A. Shpresoj ta bëjnë këtë me fanellën e Empolit”, u shpreh trajneri Dionisi.

Sulmuesi/ Cikalleshi në formacionin e javës në Turqi

Fundjava që lamë pas ishte idealja për Sokol Cikalleshin. Sulmuesi ndihmoi ekipin e tij në Superligën turke, Koniaspor, të fitonte me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Karagumruk teksa shënoi dy herë dhe dhuroi një asist. Këto statistika mund të ishin edhe më të bujshme, nëse nuk do të ishte për VAR që i anuloi kavajasit një gol për pozicion të parregullt. Megjithatë, kaq ka mjaftuar për ta vendosur Cikalleshin në formacionin e më të mirëve në Turqi ku është së bashku në sulm me futbollistin e Beshiktash, Larrin. Sakaq, në formacionin më të mirë të javës, ka vend edhe për lojtarin tjetër shqiptar të Koniaspor, Zymer Bytyçin, i cili shënoi me asist të Cikalleshit. Ndërkaq, ky është një nga sezonet më pozitive të Cikalleshit teksa shqiptari ka realizuar tetë gola deri tani, ndërsa në llogarinë personale ka edhe tre asiste.

Vrioni përqafon Ronaldon pas golit kundër Udinezes

Ndërkohë që Bajrami rikthen Empolin në Serie A, e Cikalleshi pozicionohet në 11-shen e javës në Turqi, një tjetër lojtar shqiptar merr vëmendjen e medias e madje shkakton bujë me postimin e tij. Kështu, sulmuesi i ri kuqezi, Xhakomo Vrioni, ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë fushave të lojës për muaj të tërë dhe pasi u rikthye me gol në ekipin e Juventus U23, sulmuesi i kombëtares u grumbullua edhe nga trajneri Andrea Pirlo për ndeshjen e skuadrës së parë ndaj Udinezes. Megjithatë, shqiptari nuk mori minuta në atë sfidë edhe për shkak të mënyrës si shkoi ajo sfidë, teksa Juventusi fitoi me përmbysje vetëm në minutat e fundit falë një dygolëshi të Kristiano Ronaldos. Pikërish, në golin e fitores së portugezit, festa ishte e madhe aq sa edhe stoli i Juventus zbriti në fushë për të përgëzuar CR7. Mes atyre ishte edhe Xhakomo Vrioni, i cili përqafoi portugezin, ndërsa këtë moment e postoi edhe në rrjetet sociale. Aty, pëlqimet dhe komentet ishin të shumta, por komenti që spikati më së shumti ishte ai i Ermir Lenjanit. “Përqafoje edhe njëherë për mua bacin o vëlla”, ishin fjalët e Lenjanit për Vrionit, teksa mesa duket edhe anësori i kombëtares është një fans i madh i Ronaldos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here