Gjysmëfinalja e kthimit në Champions League midis Mançester Sitit dhe Paris San Zhermen u zhvillua mbrëmë në “Etihad”, duke dhuruar jo pak emocione. Në fakt, Siti vinte në këtë takim me një avantazh të dukshëm nga dueli i parë gjysmëfinal, pasi kishte fituar brenda në Paris me rezultatin 2-1. Kjo fitore e parë e anglezëve u reflektua mbrëmë në një start më të qetë dhe të qartë në lojë, duke e vënë në kushtet e presionit skuadrën franceze. Ajo që do t’i jepte Sitit avantazhe të pakrahasueshme ishte goli i shpejtë i shënuar mbrëmë që në minutën e 11-të nga Riad Mahrez, një gol që erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë dhe disa përpjekjesh për të gjetur rrjetën por që sulmuesi u gjet në momentin e fundit i zbuluar në krahun e djathtë dhe në pozicion të prirët gjuajti tokazi dhe saktë duke “përshëndetur” rrjetën. Në minutën e 16-të vjen momenti më i mirë për PSG-në, ku një krosimi nga e majta iu përgjigj me kokë Markinjos, që kërceu mbi të gjithë mbrojtësit e Sitit dhe goditi fuqishëm me kokë, por topi përplaset në traversë. Me fat ishte Siti i Guardiolës në këtë moment. Përpjekjet e Paris San Zhermen u shtuan me kalimin e minutave, por Siti diti të menaxhojë si duhet fazat e lojës, duke u mbrojtur mirë dhe duke tentuar të shfrytëzojë në maksimum kundërsulmin. Kjo bëri që gjatë fraksionit të parë të lojës Mançester Siti të jetë më efikas në veprimet sulmuese, ku pati 3 goditje në kuadrat, një prej të cilëve shndërruar në gol, kundrejt vetëm 2 gjuajtje drejt kuadratit nga francezët. Këta të fundit dominuan në të gjitha aspektet e tjera të lojës, përfshi dhe dominimin e mbajtjes së topit me mbi 55%, por asnjë nga këto nuk mjaftoi, pasi në futboll vlen rezultati dhe Siti ishte pragmatist në veprime. Racionaliteti në lojë dhe efikasiteti në rezultat e lejuan skuadrën e Pep Guardiolës ta menaxhonin më mirë fushën, ndërsa PSG-së iu desh të sforcohej më shumë për të shkuar tek goli. Dalja përpara e kampionëve të Francës solli probleme në prapavijë dhe ishte sërish Mahrez, i cili u asistua nga Foden, i cili gjeti golin e dytë personal e të dytin për Sitin, duke i dhënë goditje fatale PSG-së. Si të mos mjaftonin golat e pësuar, në minutën e 69-të Paris San Zhermen mbeti me 10 vetë në fushë, pasi Angel Di Maria u ndëshkua me karton të kuq. Me diferencë numerike në fushë ndaj kundërshtarit dhe e rënë moralisht, PSG e pati të pamundur të gjente rrugën e suksesit. Të gjitha këto veprime çuan ujë në “mullirin” e Sitit, i cili e administroi ndeshjen në mënyrë perfekte. Trajneri Pep Guardiola shkëlqeu dhe një herë me taktikën e zgjedhur. I ndjeshëm që PSG ka kualitete të nivelit të lartë dhe do të sulmonte (për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë), zgjodhi të luajë me kundërsulm dhe racionalitet në veprimet tekniko-taktike, një modul që i dha të drejtë dhe triumf, pasi Siti u bë finalisti i parë i UEFA Champions League për këtë sezon. Por duhet pranuar dhe një fakt interesant, që PSG-së i mungonte mbrëmë ylli i saj, Kilian Mbape. Sot në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja e kthimit midis Çelsit dhe Realit të Madridit. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1, kështu që është një duel i hapur.






































