Në sportet e rënda me karakter luftarak shqiptarët kanë shkruar faqe suksesi të padiskutueshme dhe të shumtë kanë qenë rastet e triumfeve edhe në ringjet me famë në Europë e SHBA. Një nga njerëzit e suksesshëm në një sport të veçantë të ringut, në Muay Thai, është edhe Ervis Bici, dy herë kampion i Europës e katër herë kampion i Italisë. Bici është shembulli i njeriut që e nisi këtë sport në moshë madhore, por sfidoi të gjitha vështirësitë dhe ia doli të shkojë në majë, duke qenë shembull i një suksesi të pazakontë. Me një karrierë brilante, kryesisht në Itali, ai ka kaluar edhe një jetesë me peripeci, por rrallë gjen njerëz që talentin, forcën, strategjinë dhe garën e ka kombinuar aq bukur me shpirtin shqiptar, për të dalë vazhdimisht triumfator. Jo vetëm kaq, por Bici ia ka dalë të organizojë evente edhe në Shqipëri dhe të gjithë të ardhurat shkojnë për bamirësi. “Shqiponja e Zezë”, nofka e tij, vjen në këtë intervistë për gazetën “SOT”, me emocione nga karriera e tij, por edhe mendimet mbi të ardhmen e këtij sporti në Shqipëri.
CV e shkurtër e Ervis Bicit
Datëlindja: 28.08.1981
Vendlindja: Armathë, Manëz, Durrës
Gjatësia trupore 190 cm
Pesha trupore: 75 kg
Skuadra e regjistruar: BLACK EAGLE GYM
Vendi që përfaqëson: Shqipërinë
Sporti: Muay Thai
Nofka: “Shqiponja e Zezë”
Titujt: Kampion i Italisë 4 herë. Kampion Europe 2 herë.
Statistikat: 21 ndeshje të zhvilluara prej të cilave 18 fitore, 3 humbje.
Hobe të tjerë: Shkruan thënie dhe poezi. Vizaton, pikturon, i pëlqen loja e shahut dhe lexon shumë për kulturën ilire.
Veprimtaria aktuale: Humanizëm, të gjitha ndeshjet e tij kanë qenë për humanizëm. Tre eventet që ka organizuar në gjirin e Lalëzit kanë qenë për humanizëm.
– Si ndodhi lidhja juaj me sportin dhe më pas me disiplinën e Muay Thai? Duke qenë një sport i zhvilluar kryesisht në Tajlandë, si ia keni dalë të fitoni eksperiencë dhe me çfarë peripecish jeni përballur për të arritur majat në këtë sport?
Në moshën 33-vjeçare im atë ndërroi jetë. Humbja e babait më bëri të luftoj dhimbjen. Për të luftuar dhimbjen regjistrohem në një palestër MMA ku mbas disa muajsh stërvitje, zhvilloj disa ndeshje rruge në Breshia të Italisë, prej të cilave 2 ndeshje i fitova me nokaut, “ko”. Por një nga ndeshjet ishte shumë e fortë, aq sa thyej pjesën e zigomos dhe bashkë me kundërshtarin përfundojmë në spital. Dua të them se për të arritur atë çfarë ti dëshiron realisht duhet të stërvitesh fort dhe ta duash sportin me zemër.
– Si është pritur në Itali një kampion që ka origjinë shqiptare?
Italia më ka pritur gjithmonë mirë sepse italianët janë një popull human. Jam përpjekur t’i tregoj të gjithë botës që ne shqiptarët kemi kulturë, në ring ngjitem me muzikën e Elez Isufit dhe me flamurin më të bukur në botë. Siç thashë, italianët më kanë pritur mirë, por në ring kanë favorizuar sportistët e tyre, u kam treguar që ne shqiptarët nuk jemi të fortë vetëm në rrugë dhe luftëra, por në formë batute u them që edhe në ring “të shqepim në dru”.
– Ju keni zhvilluar shumë ndeshje, cilat janë ato që ju i cilësoni më të rëndësishmet, apo vendimtaret?
Të gjitha ndeshjet kanë qenë të rëndësishme, por njëra ndeshje për titull Italie ka qenë luftë e ashpër, mjaft e rivalizuar, por që arrita ta fitoj me meritë. Mbetet më e veçanta sepse gjyqtarët më japin fitoren në mënyrë unanime, por presidenti i federatës Fimt i kalon gjerdanin kundërshtarit duke bërë padrejtësi ashiqare publikut. Siç shihet, edhe sporti ka errësirat e veta.
– Çfarë e bëjnë të veçantë këtë sport, ndryshe nga sportet e tjera? Cili është regjimi që duhet të ndjekë një sportist për të dalë kampion në Muay Thai?
Çdo sport ka veçantitë e veta, çdo sportist ndjek sportin që ka pasion. Veçantia e Muay Thai është disiplina e rreptë, është ushtri speciale për të edukuar mendjen. Sekreti i regjimit është të zgjohesh herët në mëngjes për vrap dhe të ushqesh trupin shëndetshëm. Duhet të jesh gjithmonë aktiv në stërvitje, të plotësosh 8 orë gjumë dhe të mos abuzosh me trupin, pra të ushqehesh natyrshëm.

– Më mirë forca dhe shpejtësia apo eksperienca? Si i keni alternuar ju këta elementë në ring?
Në ring duhet t’i përdorësh gjitha armët e tua, sepse brenda ringut përplasesh me kundërshtarë të ndryshëm që kanë teknika të ndryshme. Nëse nuk funksionon teknika dhe eksperienca, atëherë përdor zemrën. Në fakt, në ring fiton kush stërvitet më fort dhe ky është sekreti apo “receta” e vërtetë.
– Nëse nuk do të ishe marrë me Muay Thai, çfarë sporti do të ndiqnit?
Në fëmijëri shikoja filmin “tong po” me aktorin Jean-Claude Van Damme dhe e kisha ëndërr të stërvitesha si në film. Fati im i mirë është që stërvitem me 2 trajnerë, me kushëririn Ermirian Bici që më mësoj disiplinën Muay Thai dhe fati që stërvitem me legjendën Thailandeze 7-herë kampionin e botës, Sak Kaoponlek, cilësuar sportisti më i mirë i të gjitha kohërave. Të gjitha sportet i pëlqej, por Muay Thai është jeta ime.
– Cila është marrëdhënia juaj e tanishme me Shqipërinë?
Në Shqipëri kam organizuar disa evente sportive. Në Shqipëri kam zbuluar shumë talente në shumë qytete, djem dhe vajza. Shqipëria është një fabrikë talentesh dhe rinia ka shumë energji. Në një farë mënyre kam zgjedhur disa talente që i kam dërguar në Itali dhe Francë që të ndeshen, ku edhe kanë triumfuar.
– A ka Shqipëria kushte për të zhvilluar këtë disiplinë, nëse po, çfarë rekomandimesh mund të jepni?
Shqipëria nuk jep kushte për asnjë disiplinë në mënyrë profesionale. Por, shqiptarët shquhen për të gjithë disiplinat luftarake dhe shqiptarët e kanë treguar këtë me prova, edhe pse me kushte jo profesionale. Natyrisht, sportistët shqiptarë kanë nevojë për sponsorizim, sepse sporti ka shpenzime për të garuar jashtë vendit. Sportisti duhet të ushqehet shëndetshëm dhe për ketë duhen sponsorët. Në Shqipëri ka talente në të gjitha disiplinat, por ata thjeshtë kanë nevojë për mbështetje morale dhe financiare nga shteti apo nga sponsorët biznesmenë. Përderisa nderojnë flamurin dhe kombin e meritojnë plotësisht mbështetjen.
– Cila është koha juaj e lirë, si e mbuloni atë? Çfarë ju pëlqen të bëni tjetër jashtë sportit?
Kohën e lirë lexoj libra, vizatoj dhe pikturoj. Nganjëherë shkruaj poezi dhe thënie. Po shkruaj dhe dy libra njëkohësisht, një libër roman për popullin ilir dhe pjesën e Ballkanit dhe një libër për historinë time, si arrita të bëhem kampion në moshën 34-vjeçare që fillova sportin Muay Thai.
– Kush është familja juaj?
Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Edhe këtu ka një veçanti, pasi emrat e fëmijëve i kam quajtur si fëmijët e legjendës Bruce Lee, Brendon dhe Shenon.
– Ju jeni angazhuar kohët e fundit në veprime humanitare. Çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?
Unë luftoj për njerëzit në nevojë, energjia e të tjerëve është forca ime. Nuk më ka shtyrë asgjë ta bëj, thjesht ashtu ndjehem mirë, është diçka e lindur që ti lufton për të tjerët dhe kjo më jep kënaqësi e më bën më të fortë.
– Çfarë keni planifikuar në të ardhmen në lidhje me sportin (trajner, drejtues, biznes apo ndonjë gjë tjetër)?
Në Shqipëri kam hapur një palestër që ndodhet në gjirin e Lalzit, palestra Black Eagle Gym. Planet e mia janë disa sportistë, vajza dhe djem, që po i trajnoj prej 2 vitesh dhe janë vërtet elementë të veçantë. Jam akoma sportist aktiv, dhe pse jam 39 vjeç tani dëshira ime e madhe është të ndeshem në vendin e shqiponjave, Shqipëri. Në gusht do organizoj një event në bregdetin e girit të Lalzit dhe shpresoj të ndeshem dhe unë. Dëshira është të kem një ndeshje kthimi me anglezin Khris Melhuish, pasi para një viti ndaj tij e humba ndeshjen titull Europe WBC. Tani jam në pritje të një vendimi nga federata më e rëndësishme në botë, WBC.
– Cili është apeli juaj për të rinjtë dhe të rejat që e duan këtë sport?
Nëse nuk e keni guximin të rrezikoni nuk do arrini asgjë në jetë. Ju ftoj të gjithëve të zhvilloni aktivitete sportive, duke stërvitur fizikun dhe do të keni një mendje të freskët. Lexoni libra sa më shumë, sepse forca e njeriut është mendja. Sa herë të zgjoheni në mëngjes rregulloni krevatin dhe përqafoni nënën kur të dilni nga shtëpia, sepse, nëse nuk e bëni, gjatë gjithë ditës do të jeni nervoz dhe nuk do ta kuptoni përse. Duhet kurajo të jesh i shkëlqyeshëm, duhet kurajo të jesh i suksesshëm, duhet kurajo të jesh trim dhe i edukuar. Çdonjëri nga ne e ka për detyrë të sjellë përmirësime në shoqëri. Duhet kurajo dhe forcë për të ecur përpara.









































