Shtangisti Erkand Qerimaj bëri dje një garë të mirë dhe arriti të tregonte dhe një herë tjetër se pavarësisht moshës mban rezultate të qëndrueshme në garat ndërkombëtare. Edhe pse ishte larg rezultateve të tij më të mira, duket se Qerimaj e bëri si duhet detyrën për të përfaqësuar me dinjitet fanellën kuqezi në një aktivitet të tillë sikurse Kampionati Europian i Peshëngritjes. Ai garoi në baterinë B të peshës trupore 81 kg, duke realizuar 3 prova të saktë në shkëputje që kulmuan me 156 kg, pozicion që i dha vendin e dytë në këtë bateri. Në stilin e shtytjes shkodrani ngriti në provën e parë 180 kg, por dështoi me 184 dhe 185 kg në dy provat e tjera, për pasojë e mbylli garën me 336 kg dhe në vend të tretë në këtë bateri. Gjithsesi, me këtë rezultat ai nuk siguron pikë të mjaftueshme për pjesëmarrje në Olimpiadë. Megjithatë, Qerimaj mund të tentojë deri në verë në ndonjë aktivitet tjetër me vlerë pikësh për ta mundësuar këtë. “Gara përfundoi, unë u rendita i 2-ti në shkëputje dhe i 3-ti në dygarësh në baterinë time! Duke pasur parasysh edhe dëmtimin në brryl e konsideroj sukses garën edhe që dola i padëmtuar! Shumë faleminderit për mbështetjen tuaj dashamirësit e mi”, shkruan Qerimaj. Si përfundim ai u rendit në vend të 9-të në këtë kampionat pas bashkimit të dy baterive. Ndërkohë, Daniel Godelli dështoi në baterinë A, pasi nuk u klasifikua dot në asnjë stil e për pasojë mbeti jashtë renditjes në dygarësh. Godelli e nisi garën e tij me peshën 152 kg në stilin e shkëputjes. Dështoi ta ngrinte në provën e parë dhe të dytë e më pas u tërhoq nga gara. Në fillim u duk se ai do të garonte dhe në stilin e shtytjes, por nuk u fut fare në garë, duke u tërhequr. Me sa duket nga ndonjë dëmtim. Për ekipin tonë përfaqësues, i fundit që ngjitet në pedanë në këtë aktivitet është Krenar Shoraj, që do të garojë sot në baterinë A në peshën trupore 89 kg. Ai ka shanse të futet në zonën e medaljeve. Duhet thënë se peshëngritja shqiptare deri tani ka siguruar 3 medalje nga Europiani i Moskës. Evangjeli Veli mori një medalje bronzi tek femrat dhe Briken Calja mori një argjend e një bronz tek meshkujt. Siç dihet, deri më sot kualifikimin zyrtar për në Olimpiadë e ka siguruar vetëm Briken Calja.