Miron Kotani: Situata për artistët e muzikantët katastrofike, tallavaja dhe muzika joprofesionale kanë pushtuar ekranet

0
805

Pandemia ka bllokuar aktivitetet në fushën e artit, ku dhe për artistët vështirësitë nuk janë të pakta. Në reagimet e tyre artistë dhe krijues në këto ditë marsi të 2021 pohojnë se po përballen me shumë vështirësi me aktivitetin muzikor. Kompozitori Miron Kotani thotë se situata në fushën e artit dhe muzikës është katastrofike, ndërsa nuk mungojnë dhe problemet që janë me të drejtën e autorit në vendin tonë. Kur flitet për të drejtë e autorit, kompozitori Miron Kotani thotë se shuma që marrin krijuesit nga të ardhurat e muzikës ka rënie. “Si instrumentist sapo morëm një honorar nga agjencia AKDIE = 5 euro në vit. Është një shumë tallëse për të gjithë interpretët e instrumentistët shqiptarë. Nga “Albautori” në katër vitet e fundit shuma është zbehur e ka ardhur ndjeshëm në rënie në disfavor të kompozitorëve shqiptarë, thuajse e papërfillshme dhe krejt qesharake, ( për 2019, 30 mijë në total për gjithë vitin kurse për 2020 asnjë shpërndarje). Kjo është situata me të drejtën e autorit sot, që po ti shtojmë dhe pandeminë që ka bllokuar do mundësi e aktivitet situata është vërtetë e jashtëzakonshme për artistët e muzikantët, do të thosha katastrofike e papërballueshme”, thotë Kotani. Por sa i takon pjesës së muzikës shqiptare me vlera që duhet të transmetohet në ekranet tona, për mostransmetimin e saj sipas kompozitorit Miron Kotani përgjegjës për këtë janë të gjitha institucionet për artin në vendin tonë. Kompozitori Miron Kotani herë pas here ka folur për problemet, që janë në fushën e muzikës shqiptare. Si autori i këngëve të ndryshme, kompozitori Kotani thotë se nuk tregohet vëmendje për atë pjesë që është e muzikës shqiptare, dhe është me vlera artistike e profesionale. “Tallavaja dhe muzika- a profesionale ka pushtuar ekranin. Problematike dhe shumë shqetësuese është mostransmetimi i muzikës si vlerë profesionale shqiptare. Nuk ekziston kurrkund. Për të ardhur keq, që dhe një stacion publik apo tv kombëtar nuk e bën këtë që e ka për detyrë morale e ligjore. Gjithashtu përgjegjës për këtë janë dhe instancat përgjegjëse për artin e kulturën në vend”, thotë Kotani, mes problemeve që janë për krijimtarinë shqiptare.

Nga krijimtaria e kompozitorit

 Krijimtaria në vite e kompozitorit Miron Kotani është e pasur. Që nga viti 1997, vit në të cilin filloi të kompozojë zyrtarisht, student në vitin e parë në Akademinë e Arteve me profesor Çesk Zadenë) e deri më sot Cv- ja i tij muzikore është e pasur. Numëron një simfoni ( e ekzekutuar), një poemë simfonike, një koncert për piano e orkestër. Kuintet për instrumente frymë. Cikël pjesësh pianistike e Prelud për piano. Nga muzika e filmave artistikë, veçojmë muzikën e filmit “Tuneli” – 2017; “Një ngjarje në traget” – 2008; “Shkallët” – 2009; “Jetë të pafajshme” – 2015; “Triptik- Daja” -2010; ” Ne kemi diellin ” – 2018 , etj. Marie Logoreci- dokumentar si dhe muzikën e monodramës për teatër “Infermiere Eva ” – 2019. Pjesëmarrës si kompozitor në dhjetëra festivale e aktivitete të muzikës së lehtë, Koncerte Pranvere, etj, ku përmendim këngët: Nëse një ditë – Ilir Shehu 1997; Kthehu syri i kaltër – Irida Pojani 1998. Në vijim të aktivitetit vijnë dhe këngët: Për ty Ledi – Aurel Thellimi 2000; Vetëm ty të kam – Anxhela Peristeri e Alfred Meminaj 2001; Violina e Shpirtit – Ilda Mërkuri 2002; Sytë e zemrës – Anisa Dervina 2003; Shpresa asnjëherë nuk tretet- Kozma Dushi 1999; T’më falësh dashuri- G.Bali e A.Laco 2005; Djallëzi me emrin grua- Alfred Habipi 2008; Ti do vish prapë – Anxhela Peristeri 2003; Dashuri pa fjalë- Jona Vorpsi 2009, Një premtim – Mirlinda Bushi 2001; Nuk dua të të humbas – Megi Laska 2007; Më thuaj po – Gerald Bali 2006, si dhe të tjera. Miron Kotani është autor i mbi 200 këngëve për fëmijë në shumë festivale ndër vite ( 1997- 2012). Kotani gjithashtu ka kompozuar edhe pjesë të ndryshme teatrale për fëmijë. Nga 2000- 2010 drejtues, dirigjent i formacioni orkestral të Grupit Artistik të Ushtrisë, ku ky formacioni ka dhënë shfaqje në të gjithë Shqipërinë mes emrave të shquar të artit muzikor shqiptar. Në fushën e orkestracionit ka bashkëpunuar me shumë kompozitorë të njohur në muzikën e lehtë, klasike e atë popullore, ku Miron Kotani tregon se ka orkestruar me qindra e mijëra këngë të lehta, popullore, për fëmijë, si dhe është autor i disa pjesëve klasike shqiptare të huaja të përshtatura për orkestër frymore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here