Teatri Metropol me “Ëndrra e një nate vere”/ Një nga komeditë më të hershme të Shekspirit në festivalin “Moisiu On”

0
744

Komedia “Ëndrra e një nate vere” vepër e Shekspirit është përfaqësimi i teatrit Metropol, në Festivalin Mbarëkombëtare të Teatrit “Mosiu On”. Festivali ka nisur para disa ditësh dhe në konkurrim këtë edicion janë 20 shfaqje teatrore, jo vetëm nga teatrot, por dhe nga skena e pavarur. Komedia e Shekspirit me regji nga Armela Demaj ka qenë premierë në skenën e teatrit Metropol më parë. Më parë teatri shkruante se me regji nga Armela Demaj, ky version i shfaqjes “Ëndrra e një nate vere” vinte si një festë e vërtetë, një vorbull ngjarjesh, personazhesh, dashurish e keqkuptimesh të cilat nën lojën komike aktoriale në gjuhën e mrekullueshme Shekspiriane, dinamikën e baletit, ngjyrave të skenografisë dhe kostumeve të çojnë herë para, e herë mbrapa në kohë. Tek “Ëndrra e një nate vere”, sipas materialit nga teatri derdhet një shpirt i pasur i trillimit fantastik ku bota magjike e zanave, muzgu dhe drita e hënës janë disa nga elementet e kësaj atmosfere përrallore. “Në këtë vepër, motivi i dashurisë ka ardhur me të gjitha dimensionet e saj, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur”, thuhej në materialin për shfaqjen. Në vepër interpretojnë Alba Shtembari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Caushi, Mario Bali, Mariglen Domi, Rexhina Mollaymeri, Sara Koçi, Sedmir Memia, Shkëlzen Berisha, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari. Skenografia nga Klodjana Beqiraj, kostumografia Frenci Gjerasi, koreografia Sedmir Memia, muzika/ fonia Glen Shutina. Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On” komedia “Ëndrra e një nate vere” e teatrit Metropol do të shfaqte mbrëmjen e datës 5 mars në orën 19:00, livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe në Facebook-un e teatrove pjesëmarrëse. Festivali nisi më datë 23 shkurt dhe përfundon më 15 mars.

 Komedia dhe ngjarjet

 E shkruar ndoshta në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë, që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave. Në teatrin Metropol kjo vepër erdhi premierë në muajin nëntor të 2019. William Shakespeare (Uilliam Shekspir) e ngriti artin poetik në majat më të larta. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta, por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai ka qenë komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme, të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here