Policia kërkoi rihapjen e dosjes së bujshme të 21 Janarit, ministri Çuçi zbulon provën që nuk është marrë nën shqyrtim akoma

0
59


Sot u bënë 10 vite nga 21 janari i vitit 2011. Qeveria bëri dy lëvizje, së pari policia i kërkoi prokurorisë rihapjen e dosjes, ndërsa sot Edi Rama shpalli 4 protestuesit dëshmorë të atdheut.

Por cilat janë provat e reja mbi të cilat policia i kërkon prokurorisë rihapjen e dosjes së 21 janarit? Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në Radarin Informativ në “ABC” u shpreh se prova që nuk është ezauruar asnjëherë është plumbi që ka goditur Aleks Nikën.

Ministri tha se u kërkua riekspertim, pasi beson se zhvillimi i teknologjisë do të zbulojë nga erdhi plumbi, si erdhi dhe nga cila armë është qëlluar.

Pjesë nga intervista e Bledi Çuçit në ABC

Duke e papritur lëvizja e policisë, pse e dërguat tani dosjen në prokurori?

Nuk është e papritur por ngaqë merr vëmendje më shumë për shkak të 10 vjetorit, prandaj lajmi “merr dhenë”, nëse do të përdornim një shprehje popullore. Policia e ka pasur dosjen, ka kryer disa veprime të tjera dhe në këtë moment e ka parë të arsyeshme, që me këto prova që ka në dorë, krijohet bindja që mund të rihapet dosja.

Policia nuk ka asnjë provë, ia ka dërguar prokurorisë për të rishqyrtuar disa rrethana, ka prova të reja?

Është një provë që nuk është ezaurur asnjëherë. Që është plumbi që ka goditur Aleks Nikën. Kjo është një provë e pa ezauruar për shkak se me zhvillimin e teknologjisë së para 10 viteve ka qenë e pamundur që ekspertët t’i përgjigjeshin pyetjeve. Tashmë policia mendon dhe është e bindur që mund të përgjigjen, ekspertiza e bën të mundur edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë, në lidhje me plumbin e gjetur në trupin e Nikës. Ekspertiza mund të sjellë zhvillime të reja. Fjala mund nuk është siguri, por ka avancuar shumë teknologjia dhe do të zbardhte shumë gjëra, nëse do të vërtetoj me provë shkencore, me ekspertizë shkencore do të vërtetoj nga erdhi plumbi, si erdhi dhe nga cila armë është qëlluar. Kjo e sjell komplet cështjen në një situatë të re.

Kjo duket si vullnet politik?

Është vullnet për drejtësi.

Por nuk i mungonte asgjë policisë që edhe muaj më para t’ia kishte dërguar, edhe për ta shpëtuar nga arkivimi?

Për ne nuk mund të arkivohet përgjithmonë, 4 vrasje përpara kryeministrisë me armë të shtëna nga Kryeministria e Shqipërisë.

Pse e lante për ditën e fundit të afatit?

Nuk ka rëndësi ora, por tani është krijuar bindja që mund të bëhet një ekspertizë për të nxjerrë nga cila armë është qëlluar. Ekspertiza do kohën e vet. Në datën 20 është çuar kërkesa prokurorisë për ta rimarrë edhe njëherë këtë provë, si indicie për të zbardhur një nga 4 vrasjet, e Aleks Nikës, është e pa ezauruar. Fatkeqësisht drejtësia e varrosi këtë cështje dhe ka lënë shumë pak hapësira për t’u vendosur drejtësia e vërtetë, një nga ato është mos ezauruimi i kësaj pjese.

Mos po i mbani me shpresa këta njerëz…..

Ne kemi shpresë dhe nuk do të vdesë shpresa jonë për të vendosur drejtësi.

Shpresë për të gjetur fakte të reja?

Po. Për të zbardhur një nga ngjarjet më të rënda.

Mos po e përdorni politikisht?

Ne kemi që nga 21 janari i 2011 që themi nuk do të heqim dorë nga kjo cështje. Nuk jemi as gjykatës as prokuror.

Katër protestuesit që u vranë, sot u shpallën dëshmorë të atdheut, ka një motivacion, a duhet të kishte, pjesën procedurale kush e vendos, kryeministri?

Janë procedurat.

Duket se Rama po bën të njëjtën gjë për të cilën ka kritikuar Metën, a duhet të ketë një komision?

Ato janë proceduar sipas të gjitha rregullave në fuqi, nuk ka asnjë kapërcim të procedurave

Për procedurë, do të ketë proces zhvarrosje dhe varroje te varrezat e dëshmorëve?

Nuk e di nëse është detyrim, por po të jetë detyrim edhe ajo mund të bëhet. Por nuk ka rëndësi ku varroset, por nderi që i bëjmë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj