Alfred Peza / Pse LSI nuk mund të marrë dot vota të majta më 25 prill?!

0
306

Nga Alfred Peza

Fushata elektorale mund të konsiderohet më në fund e filluar, pasi u qartësua diçka tepër esenciale si ofertë politike nga ana e LSI, përballë kërkesës së qytetarëve. Nëse pozicionet programore mes PS dhe PD janë tepër të qarta, mbetej të kristalizohej dhe pozicioni i partisë së Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Tani që edhe LSI, pranoi publikisht se ka të përbashkët me PD pikën e taksës së sheshtë në programin e saj elektoral, atëherë nuk ka më asnjë enigmë për të sqaruar. E pyetur nga mediat në lidhje me pikat që e bashkojnë LSI me PD në zgjedhje, përveç objektivit politik për të rrëzuar Edi Ramën dhe mazhorancën e tij qeverisëse, Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi deklaroi: “Taksa e sheshtë është një nga pikat që ne kemi të përbashkët. PD është angazhuar për 9%, ne kemi qenë për 10%, por të biem dakord. Është e rëndësishme që të jetë taksë e sheshtë që çliron biznesin e vogël, çliron biznesin e mesëm.”

E vetmja pikë që e dallon sot qartazi të majtën nga e djathta, socialistin nga demokrati, Partinë Socialiste nga Partia Demokratike në pikëpamje programore, është pozicioni diametralisht i kundërt i palëve në lidhje me sistemin fiskal. Qëndrimi ndaj llojit të taksës që aplikojnë gjatë qeverisjes, ka qenë dhe mbetet kufiri ndarës, mes programit të PS dhe PD. Kjo e pozicionoi qartazi Edi Ramën, përballë Sali Berishës në fushatën elektorale për zgjedhjet e 2013 dhe bëri diferencën. Në programin e saj elektoral PS kishte taksën progresive, sipas parimit; kush fiton më pak, paguan më pak. Kush fiton më shumë, paguan më shumë. Një qëndrim thellësisht i majtë ky, po të kemi parasysh se partitë e këtij spektri janë më pranë shtresave të varfëra dhe grupeve sociale në nevojë. Pas 2013, sistemi fiskal i Shqipërisë, aplikon taksën progresive.

Nga vitit 2007 deri më 2013, u aplikua taksa e sheshtë në masën 10%, por qeverisja e PD nuk arriti ta luftonte evazionin fiskal që kapi nivele të larta. Kjo taksë rëndoi më shumë mbi shtresat e varfëra e të mesme, sesa mbi të pasurit dhe “oligarkët”. Luzim Basha premton se nëse e djathta do të rikthehet në pushtet, do ta aplikojë sërisht këtë taksë. Debati për llojin e taksës, ka qenë tema më e nxehtë e fushatës elektorale të 8 viteve më parë, për shkak të ndjeshmërisë së qytetarëve për çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e tyre. Është shumë e qartë tashmë, se LSI ka përqafuar në programin e saj elektoral, taksimin e sheshtë si edhe PD.

Në këtë fushatë, e vetmja pikë ku ndryshon oferta elektorale e PS nga ajo e koalicioneve opozitare përballë saj, është vetëm një. Shqiptarëve u është thjeshtëzuar puna si kurrë më parë. Dilema e tyre e vetme tashmë është përmbledhur në pyetjen: A jeni për taksën progresive, apo taksën e sheshtë? Kaq. Kjo lëvizje politike e LSI, e cila kalon totalisht në fushën programore të së djathtës, e thjeshtëzon edhe ekuacionin e zgjëdhësve të majtë. Partia që përfaqëson interesat e tyre tani është vetëm PS. Sepse vetëm ajo e ka tashmë në programin e saj, atë lloj politike fiskale, që është pranë interesave dhe nevojave të tyre. Deri më sot LSI ka luajtur politikisht me tezën se vetëm ajo i përfaqëson, socialistët e vërtetë. Sepse sipas saj, “Rilindja” e ka pushtuar PS dhe ajo nuk e përfaqëson më, të majtën e vërtetë e tradicionale. Tani që LSI përqafoi në program, taksën e sheshtë të PD, kjo alibi bie. Ndaj LSI, nuk mund të marrë dot më, vota të majta në 25 prill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here