Jep dorëheqjen kreu i Ligës Profesioniste, Libohova, dyshohet se u përplas me Dukën

0
319

Dy muaj bojkot të Ligës Profesioniste të futbollit, mbështetur fuqimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, solli mungesën e aktiviteteve në periudhën e ngrohtë dhe me rinisjen e garave në të gjitha nivelet është ngjeshur kalendari për në periudhën e ftohtë duke sjellë mjaft probleme. Sidoqoftë, bojkoti nga shumë aktorë të futbollit është vlerësuar pozitiv, edhe pse për realizimin e kauzës, pra nëse ia doli apo jo, ka shumë pikëpyetje. Dje ndodhi një lëvizje e papritur në FSHF. Dha dorëheqjen kreu i Ligës, Edvin Libohova, ai që mendohej se e drejtoi me sukses kauzën e klubeve. Edhe pse FSHF pretendonte se qëndronte thjesht moralisht prapa klubeve, koha vërtetoi se lëvizja e Ligës Profesioniste ishte manovër e kreut të federatës, Armand Duka, i cili kishte vënë në lëvizje mekanizmin e pushtetit të tij mbi klubet, një pushtet që “saldohet” prej plot 17 vitesh, duke e bërë Dukën njërin prej drejtuesve më jetëgjatë në krye të ndonjë federate futbolli në Europë dhe më gjerë. Por pse vjen pikërisht dorëheqja e Libohovës në këtë periudhë? Edhe pse ai vetë e ka dhënë sqarimin zyrtar, në kanalet e nëndheshme në FSHF flitet për një mosdakordësi me kreun e federatës. Nuk është fenomen i ri. Prej kohësh Duka cilësohet “Enveri i Futbollit”, për shkak të sjelljeve të tij diktatoriale në menaxhimin e qeverisë së futbollit shqiptar. Ndoshta Libohova është “kurban” për mosrealizimin e objektivave të ligës gjatë këtyre muajve, kur kryeministri Rama fitoi kohë për të parë punë të tjera më të rëndësishme të qeverisë së tij, kurse futbolli u mjaftua me një takim ku mori premtime se do të ketë lehtësira.

Dorëheqja

Liga Profesioniste e Futbollit është një organizëm i krijuar nga klubet për të mbrojtur të drejtat e tyre, por deri më sot, kjo ligë ka funksionuar si shtojcë e FSHF-së dhe për interesat e Dukës. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe këtë e vërtetoi, siç thamë, bojkoti i ligës dhe i FSHF-së së bashku në fillim të edicionit. Ndërkohë, dje, u mësua se Edvin Libohova nuk do të jetë më në krye të Ligës Profesioniste të Futbollit teksa ka dhënë dorëheqjen. Në një prononcim për “Top Channel”, Libohova shprehet se do të qëndrojë tashmë derisa të vendoset kryetari i ri. Ndër të tjera, Libohova theksoi se shpejt do të vijë dita që kuadri ligjor të plotësohet dhe t’i shërbejë me të vërtetë sportit. “Kam kërkuar te anëtarët e Ligës dorëheqjen duke qëndruar derisa të gjejnë një kryetar të ri. Për aq kohë sa kërkesat janë konsideruar të drejta dhe i shërbejnë zhvillimit të sportit jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen, besoj se do të vijë dita shumë shpejt që ky kuadër ligjor të plotësohet në atë lloj forme që do t’i shërbejë realisht sportit dhe jo vetëm formalisht. Shtyrja e ndeshjeve- Konkretisht pamë që u shtynë ndeshjet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë pasi në ato ambiente nuk mund të luhet, por kjo ka një kosto të madhe për t’u riparuar. Historikisht, para 90-tës çdo gjë e mbulonte shteti, kultura mungon për ta transmetuar riskun nga Bashkia apo nga klubi apo individi te shoqëria e sigurimit”, u shpreh Libohova në sajë edhe të postit si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve në vend.

E ardhmja

Ende nuk është caktuar se kush do të jetë drejtues i Ligës pas dorëheqjes së Libohovës. Me siguri që atë do ta caktojë Duka në emër të klubeve, për të përmbushur misionin e tij. natyrisht, klubet që militojnë sot në elitë, të paktën klubet kryesore, kanë krijuar një unitet me kreun e federatës, aq sa askush nuk guxon të dalë të shprehë së kundër vendimeve që merr “bosi” i FSHF-së. e megjithatë, futbolli në Shqipëri do të vijojë të zhvillohet, ndërsa këmbëngulja e klubeve për të bërë blerje në këtë merkato dimri e në periudhë të vështirë, tregon se ka interes nga klubet për të rritur nivelin dhe pretendimet për objektivat e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here