Mbi turin e fundit në Ballkan të Ministrit të Jashtëm të Rusisë, ose përse Moska është e shqetësuar se Biden do ta detyrojë Vuçiç që të njohë Kosovën

0
60

Nga Janusz Bugajski

Botuar në DITA

Zgjedhja e Joe Biden po gjeneron shqetësim në Moskë, pasi ambiciet globale të Rusisë do të sfidohen më drejtpërdrejt. Ndërsa Donald Trump u përqëndrua në tërheqjen e forcave amerikane nga Europa, duke shmangur përfshirjen e saj në çfarëdo konflikt të ri dhe duke distancuar SHBA-në nga BE, Kremlini druan se Presidenti Biden do të riangazhohet me qëllim integrimin perëndimor të rajoneve të debatuara.

Turi i fundit në Ballkan i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov vuri në pah shqetësimin e Moskës. Deklaratat e Lavrov në lidhje me rëndësinë e Ballkanit në të vërtetë parashtroi aspiratat e vetë Rusisë për rajonin si të (ishin të) Uashingtonit.

Ai deklaroi se disa vende perëndimore “do të dëshironin ta kthenin këtë pjesë të Europës në një arenë konfrontimi gjeopolitik dhe të krijonin vija të reja ndasie”. Kjo është pikërisht ajo që Kremlini po përpiqet të arrijë duke parandaluar që vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimorë të zgjidhin mosmarrëveshjetdhe të meritojnë anëtarësimin në NATO dhe BE.

Lavrov shënjestroi dy shtete që i mundësojnë Moskës të ndjekë strategjinë “përça dhe pushto” për rajonin: Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë.

Në vizitën e tij të diskutueshme në Bosnjë-Hercegovinë, Lavrov kundërshtoi hapur zgjerimin e NATO-s duke theksuar neutralitetin ushtarak të entitetit serb (Republika Srpska, RS)brenda Bosnjës. Në fakt, vendimet mbi aleancat politike dhe ushtarake mund të merren vetëm nga qeveria qendrore në Sarajevë.

Anëtarët boshnjakë dhe kroatë të presidencës së Bosnjës me qëllim refuzuan të takoheshin me Lavrov dhe e quajtën vizitën e tij mungesërespekti ndaj vendit të tyre. Ata e kritikuan atë se takimin e parë e zhvilloi me Milorad Dodik, anëtarin serb të presidencës dhe për ndërhyrje në politikën e brendshme të Bosnjës. Lavrov pretendoi se të dy presidentët vepronuan sipas udhëzimeve të fuqive të jashtme, duke nënkuptuar qartazi SHBA-në.

Lavrov pohoi se Marrëveshja e Dayton-it që i dha fund luftës në nëntor 1995 nuk duhet të ndryshohet, pavarësisht “thirrjeve nga jashtë”. Në realitet, zyrtarët e SHBA dhe të BE-së po eksplorojnë formula kushtetuese që do mund t’i japin fund paralizës së vendit.

Ata janë të vetëdijshëm që Dayton tashmë po ia zë frymën zhvillimit të vendit dhe perspektivave të tij për integrimin në BE. Sulmi i Lavrov ishte padyshim një përgjigje ndaj deklaratës së Biden se përpjekjet për të ndërtuar një shtet funksional multi-etnik boshnjak vazhdojnë të jenë të mangëta, ndërsa angazhoi administratën e SHBA për të ndihmuar në këtë përpjekje.

Moska vazhdon të kundërshtojë përparimin e Bosnjës drejt BE-së dhe Lavrov i ofroi stimuj të ndryshëm ekonomikë entitetit serb për ta tërhequr atë larg Brukselit. Këtu përfshihenedhe projekte të përbashkëta me kompani ruse në infrastrukturën e gazit, të cilat do ta bënin rajonin me shumicë serbe edhe më të varur nga Moska.

Lavrov gjithashtu bëri thirrje për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), e cila mbikëqyr zbatimin e Daytonit nga pikëpamja civile, një veprim që do t’i inkurajonte edhe më udhëheqësit serbë për t’i dalën kundër qeverisë qendrore dhe për të kërcënuar me shkëputje.

Vizita pasuese e Lavrov në Beograd kishte si qëllim të jepte një sinjal të fortë mbështetjeje nga Rusia për presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Moska është e shqetësuar se Biden do ta detyrojë Vuçiç që të njohë Kosovën si shtet të pavarur, të heqë dorë përfundimisht nga bllokimi i anëtarësimit të Prishtinës në institucionet ndërkombëtare, të pranojë një Bosnje-Hercegovinë më të integruar dhe t’i japë fund ndërhyrjes politike të Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi.

Kremlini nuk dëshiron që Vuçiç të zbusë ofensivat e tij ndaj fqinjëve, pasi kjo do ta dëmtonte strategjinë e Rusisë për Ballkanin.

Lavrov gjithashtu vuri theksin te projektet që intensifikojnë ndërhyrjet e Rusisë në ekonominë e Serbisë, përfshirë gazsjellësen Rryma Turke, transportin hekurudhor me shpejtësi të lartë Beograd-Novi Sad dhe hidrocentralin Djerdap 1.

Gjatë vizitës së tyre në Katedralen e Shën Sava, ku u lexua një letër nga Presidenti Vladimir Putin, Lavrov dhe Vuçiç gjithashtu theksuan lidhjet e ngushta midis Kishave Ortodokse Ruse dhe Serbe, ndërsa të dyja promovojnë revizionizmin territorial rus dhe serb.

Padyshim që Moska do të kërkojë të afrohet me administratën e Biden, ashtu siç bën me çdo President që merr detyrën në SHBA. Qëllimi do të jetë të bindë Uashingtonin të shpërfillë fitimet e njëanshme të Kremlinit prej ofensivave të tij të huaja gjatë katër viteve të mëparshme dhe të mashtrojë Uashingtonin duke e bërë të besojë se një kompromis i ri i madhor me Rusinë do të shmangë konfliktet e ardhshme.

Zbulimet e vazhdueshme në lidhje me sulmin masiv kibernetik ndaj agjensive dhe bizneseve amerikane nga shërbimet e inteligjencës ruse do të mohohen nga zyrtarët e Kremlinit që njëkohësisht do t’i shfrytëzojnë për të pretenduar se marrëdhëniet dypalëshe kanë nevojë urgjente për riparim. Biden duhet të mos i lejojë më shumë terren Moskës.

Ai tashmë ka pohuar se mbrojtja kibernetike është e pamjaftueshme dhe se SHBA-së i duhet të “zmbrapsë dhe të parandalojë që kundërshtarët tanë” të përfshihen në sulme kibernetike në të ardhmen.

Përveç dërgimit të një mesazhi të qartë në lidhje me hapësirën kibernetike, administrata e re mund të rikonfirmojë interesat amerikane dhe aleate duke zmbrapsur edhe ndikimin e dëmshëm rus në gadishullin Ballkanik.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj