Një nga futbollistët që ka kontribut thelbësor gjatë viteve të fundit në ekipin përfaqësues është vlonjati Ledian Memushaj, i cili ka pasur një performancë të qëndrueshme në karrierën e tij, duke luajtur në nivele të larta me Peskarën, skuadër me të cilën ka luajtur në Serie B dhe në Serinë A, por që aktualisht luan në Serie B. Memushaj ka qenë edhe kapiten i këtij ekipi, duke pasur peshë thelbësore në grup dhe për këtë ka marrë merita të veçanta. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur veterani kuqezi është parazgjedhur në formacionin më të mirë të javës për shkak të rolit të tij në sukseset e ekipit të Peskarës. Por mosha ecën dhe Memushaj, duke folur për mediat italiane, thotë se nuk e di çfarë do të bëjë pasi të tërhiqet. Edhe pse ai e lë të hapur mundësinë e veshjes së tutave të trajnerit, sërish ai po mendon dhe është i fokusuar totalisht tek ekipi dhe ndeshja e radhës, pasi ka ende dy vite kontratë me skuadrën e tij.
Memushaj si lider i Peskarës dhe objektivat e së ardhmes
Janë mediat sportive italiane që i kushtojnë vëmendjes mesfushorit kuqezi. por, sidoqoftë, Ledian Memushaj nuk e ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen e tij pasi të mbarojë kontrata me Peskarën. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare, tashmë 34-vjeçar, tregon se nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë, apo nëse do të varë këpucët në gozhdë e ndërmarrë një karrierë të re pasi të mbyllë kontratën me këtë klub, ku ai mban edhe shiritin e kapitenit dhe në vitet e fundit është kthyer në lider të padiskutueshëm. “Kontrata më përfundon pas dy viteve. Por nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj në të ardhmen. Me siguri do të më pëlqente të qëndroja në botën e futbollit, por nuk ia kam bërë ende këtë pyetje vetes. Tani mendoj për të tashmen dhe për fushën e lojës”, deklaroi Memushaj në një intervistë të dhënë për mediat italiane. Memushaj fillimisht mendohej se do të largohej edhe nga radhët e përfaqësueses shqiptare në edicionin e fundit. Por pasi kaloi problemet fizike, trajneri Reja e ktheu duke e bërë pjesë të rëndësishme të grupit kuqezi që siguroi ngjitjen në Ligën B, pasi nuk gjenden lojtarë me eksperiencën e cilësinë e Memushajt që të zëvendësonte “veteranin” e mesfushës. Reja ka bërë të qartë që Memushaj do të jetë pjesë e përfaqësues edhe në eliminatorët e Botërorit gjatë vitit 2021.
Kombëtarja
Fjalët e trajnerit Reja kanë domethënie për një lojtar veteran që është në rënie e jo në përtëritje dhe ngjitje. Në fakt, në ekipin kombëtar Memushaj ka rol të veçantë dhe e ka përmbushur me sukses detyrën e tij. Fakti që rikthimi i tij në ndeshjet e fundit i dha skuadrës rezultatet e duhura tregon për peshën që vlonjati ka në ekip. Është fakt i pamohueshëm që loja e tij në mesfushë ka cilësi si në fazën mbrojtëse dhe në atë sulmuese, rol që vlonjati di ti menaxhojë për bukuri dhe ka pasur sukses. Ai organizon, ndërton aksione sulmuese, merr pjesë vetë në sulm dhe kur e do puna bën edhe mbrojtësin energjik. Memushaj mund ta ndihmojë skuadrën përfaqësuese edhe në eliminatoret e Botërorit dhe nuk është e rastësishme deklarata e trajnerit Edi Reja që mesfushori do të jetë pjesë e grupit edhe në eliminatoret e ardhshme. Eksperienca, pozitiviteti, këmbëngulja dhe natyrisht shpirti lab i Memushajt mund t’i japin shtysë Kombëtares të jetë më prodhuese në lojë dhe në rezultate në edicionin e ardhshëm kualifikues të Botërorit Katar-2024. A do të veshë tutat e trajnerit Memushaj pasi të tërhiqet nga futbollit? Kjo do të varet nga gjendja e tij në atë moment dhe dëshira për ta vazhduar këtë profesion. Mundet që Memushaj të marrë një detyrë pranë klubit të Peskarës, në rol menaxheri apo dhe tekniku me moshat, diçka që mesfushori mund ta pranojë me kënaqësi.









































