Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar mbyllen përkohësisht. Në njoftimin zyrtar të bërë dje nga dy institucionet, thuhet mes të tjerave se kjo vjen për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës të së enjtes. Në njoftimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare thuhet se është ngritur një grup emergjence për të rikuperuar dëmet. “Për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë. Ju bëjmë me dije se është ngritur grupi i emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet”, bëhet e ditur në njoftim nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Gjithashtu në njoftimin zyrtar të Muzeut Historik Kombëtar theksohet se për shkak të dëmeve nga protesta e së enjtes do të mbyllet për vizitorët deri në një njoftim të dytë. “Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Kulturës “Për mbylljen e përkohshme të aktivitetit për publikun të Muzeut Historik Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë. Ju bëjmë me dije se është ngritur grupi i emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet”, thuhet në njoftimin zyrtar të Muzeut Historik Kombëtar (MHK), në Tiranë. Por mbyllja e dy institucioneve të rëndësishme ka sjellë dhe ndërprerje të aktivitetit të tyre. Së fundmi në Muzeun Historik Kombëtar u hap dhe një ekspozitë, si dhe u promovua “Tirana 100 vjet kryeqytet” një libër guidë turistike e kryeqytetit shqiptar, i shoqëruar edhe me një aplikacion për turistët italianë. Promovimi i librit, u shoqërua me hapjen e ekspozitës me rreth 120 foto nga historia e zhvillimit të Tiranës deri më sot, si dhe 5 makete me rrugëtime konkrete brenda qytetit, që janë rrugëtime sa turistike, dhe historike.









































