Trump i hap rrugë tranzicionit Presidencial në Shtëpinë e Bardhë

0
200

Presidenti Donald Trump tha të hënën se i ka hapur rrugën tranzicionit për presidentin e zgjedhur Joe Biden, duke udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me këtë proces, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse do të vazhdojë me sfidat ligjore.

Administrata e Shërbimeve Qeveritare (GSA) hapi dritën jeshile zyrtarisht për tranzicionin presidencial, pak pasi shteti i Miçiganit çertifikoi fitoren e demokratit Biden.

Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se administratorja e GSA-së Emily Murphy dhe ekipi i saj duhet “të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare dhe i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”.

Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i zotit Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.

Kjo gjithashtu bën të mundur që zoti Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare që merr edhe zoti Trump.

Një deklaratë nga ekipi i tranzicionit i zotit Biden, thuhej se takimet do të fillonin me zyrtarët federalë lidhur me përgjigjen e Uashingtonit ndaj pandemisë së koronavirusit, së bashku me diskutimet e çështjeve të sigurisë kombëtare./voa

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here