Teatri Kombëtar nis “Netët e leximit të dramës shqipe” me veprën “Hijet e natës”, nga autori Vedat Kokona

    0
    328

    Teatri Kombëtar nis “Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt, me veprën “Hijet e natës”. Vepra e autorit Vedat Kokona ishte planifikuar sipas teatrit me rastin e çlirimit të Tiranës në datë 17 nëntor, por për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin do të transmetohet online. Në një njoftim të institucionit, për këtë vepër teatrore përshtatur për skenë dhe kuruar nga regjisori Hervin Çuli bëhet me dije se publiku mund ta ndjekë në Facebook ditën e shtunë. “Të dashur miq, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, si dhe nga masat e reja për parandalimin e përhapjes të tij, Teatri Kombëtar njofton shtyrjen e leximit në publik të “Hijet e natës”, variacion i veprës me të njëjtin titull nga Vedat Kokona, përshtatur për skenë dhe kuruar nga regjisori Hervin Çuli. Ky lexim ishte planifikuar me rastin e çlirimit të Tiranës në datë 17 nëntor 2020. Në kuadër të “Netëve të leximit të dramës shqipe” dhe të festave në nëntorit, TK ka vendosur ta transmetojë online leximin e dramës “Hijet e natës”, bën me dije teatri për këtë vepër, që do të ndiqte online më 21 nëntor në orën 18:00. Në këtë vepër të autorit Vedat Kokona lexojnë aktorët Naun Shundi, Dritan Boriçi, Luli Bitri, Myzafer Zifla, Natasha Sela, Laert Vasili, Dori Caushi, Luli Hoxha, Besmir Bitraku, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhoana Karaj. Regjisor televiziv është Lorin Terezi. Në një njoftim më parë Teatri Kombëtar shprehej se pas suksesit dhe impaktit pozitiv me komunitetin artistik dhe teatërdashësit në edicionet paraardhëse “Netët e leximit të dramës shqipe IV” vjen këtë vit në një formë të re. Sipas teatrit, në muajin nëntor ky aktivitet do t’i dedikohet arkivës artistike, me rastin e festave të nëntorit dhe do të bëhet leximi i veprave “Hijet e natës” nga Vedat Kokona dhe “Prefekti” nga Besim Levonja.

    Jeta dhe veprimtaria e autorit

    Vedat Kokona (Izmir, 7 gusht 1913 – 14 tetor 1998) ishte një shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare. Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi “Dritë dhe hije” Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha dhe atë me satira “Shtatë prilli, Mussoliniada” Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin “Yje të këputur” Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Ndër veprat e mëvonshme të Vedat Kokonës janë romani me dy pjesë “Me valët e jetës” Tiranë 1961, 1965, dhe drama “Hijet e natës” Tiranë 1966. Përkthimin e parë e bëri që në vitet ’30 kur botoi në të përkohshmen “Illyria” me kryeredaktor Ernest Koliqin, poezinë “Njerëz të varfër” të Hygoit, për të cilën e përgëzuan Koliqi dhe diplomati Fico. Vedat Kokona përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornejin, Zhan Rasinin, Shekspirin dhe Tolstoin, Gorkin, Xhon Gollsuorthin, Dikensin, Rabindranat Tagoran, Ernest Heminguejin, etj. Në vitet e para të pasluftës, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore “Naim Frashëri”. Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Nga 1965 e deri sa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here