Korabi me 10 vetë eliminon Tiranën, Dinamo bën “nëndetësen” në Kupë

0
298

Kupa luajti dje ndeshjet e raundit të dytë të saj, që siç dihet janë me një takim për shkak të ngjeshjes së kalendarit si pasojë e bojkotit të Ligës Profesioniste muajin e kaluar. Në këtë tur të dytë nuk munguan surprizat, madje surpriza e madhe ishte eliminimi i bujshëm i Tiranës dhe pas ndeshjes shkarkimi zyrtar i trajnerit Emanuel Egbo. Kështu, kampionia në fuqi e Shqipërisë Tirana është eliminuar nga Kupa në mënyrë surprizë në raundin e 1/8-ave, pasi është mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga skuadra e Kategorisë së parë, Korabi. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Skënder Halili”, bardheblutë vuajtën të gjejnë golin e avantazhit dhe koha e rregullt u mbyll në barazim 0-0, duke bërë që gjithçka të shkojë në shtesë. Pikërisht në minutën e 119-të ishte futbollisti i dibranëve, Skuka që shënoi në portën e Tiranës dhe i dha kualifikimin e bujshëm Korabit, ndërsa bardheblutë eliminohen me turp nga një kompeticion të cilit një vit më parë i kishin shkuar deri në finale. Pas eliminimit Tirana mori masë ndaj trajnerit Emanuel Egbo, duke e shkarkuar edhe zyrtarisht, gjë që u duk nga një deklaratë për mediat në profilin e klubit në rrjetet sociale. Trajneri nigerian ia doli të rikthejë qetësinë dhe rezultatet te Tirana, duke udhëhequr skuadrën jo vetëm drejt titullit kampion që mungonte prej vitesh, por edhe drejt një fushate të mirë eliminatore në kupat e Europës. Nuk dihet nëse Egbo do të largohet përfundimisht nga Tirana, apo do të rikthehet në rolin e trajnerit të portierëve, që e ka bërë edhe para se të ulej në krye të pankinës, ndërsa vetë klubi kryeqytetas ka theksuar në deklaratë se nigeriani do të vijojë të jetë pjesë e familjes bardheblu. “Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emanuel Egbo. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara. Klubi e falënderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi. Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të veçantë të suksesit në sezonin e shkuar njeriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!”, shkruhet në komunikatën e Tiranës diat.

Bylis eliminohet, Dovedan ja vë fajin lodhjes nga kampionati

Eliminohet edhe skuadra tjetër e Superiores, Bylisi, që u mposht me rezultatin 1-2 nga Dinamo në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit. Mallakastriotët kaluan të parët në avantazh me anë të Anthony Beji në pjesën e parë, ndërsa dinamovitët barazuan me anë të Xhixhua, duke bërë që koha e rregullt të mbyllej në barazim 1-1. Në kohën shtesë prej 30 minutash, ishte braziliani Da Silva që pas një aksioni të shpejtë të kryeqytetasve, dribloi portierin Pano Qirko dhe u ndal me faull nga ky i fundit, ndërsa arbitri akordoi 11-metërsh. Ishte vetë braziliani më pas që ekzekutoi gjuajtjen nga pika e penalltisë dhe shënoi golin që vlen kualifikimin në çerekfinale për Dinamon. Ndërkohë, pas ndeshjes, trajneri Fabrizio Kamarata tha se ambicia e tij është të kthejë Dinamon në Superiore. “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi është vetëm fillimi. Duhet t’u jap meritën lojtarëve, që dhanë maksimumin sot dhe bënë shumë mirë, ndonëse kishim edhe disa mungesa të rëndësishme. Patjetër që kjo ndeshje do të ndihmojë edhe në ecurinë e kampionatit, por siç e kam thënë gjithmonë, duhet të punojmë ditë për ditë, që të shkojmë drejt arritjes së objektivit, që është rikthimi në Superiore”, theksoi ai. Më pas foli për mungesën e kushteve të skuadrës, e cila stërvitet ku t’i dalë për mbarë. “Synohet ndërtimi i një kompleksi stërvitor, por kjo nuk është një punë që bëhet sot për nesër, ndaj momentalisht jemi përqendruar te objektivi për t’u kthyer në Superiore”, shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here