Luftëtari drejt “zhdukjes”/ Disiplina e zbret në Kategorinë e Dytë

0
237

Vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit duken të parëndësishme krahasuar me një vendim të vetëm, atë të penalizimit të Luftëtarit, pasi skuadra gjirokastrite jo vetëm bie nga kategoria, por është në luftë për ekzistencë, pasi skuadra po shkon drejt shkrirjes së plotë e nuk përjashtohet mundësia të ndryshojë edhe emrin në ditët në vijim. Kështu, ditën e djeshme Komisioni i Disiplinës ka dalë në vendime për ato që kanë ngjarë në javën e fundit të futbollit në vend. Dënimi që bie më shumë në sy, edhe pse pritej, është ai i dënimit të Luftëtarit me përjashtimin nga gara dhe zbritjen një kategori më poshtë, pra në të dytën. Bluzinjtë nuk u paraqitën në sfidën e javës së parë ndaj Pogradecit e kështu bënë edhe ndaj Turbinës, teksa dihen problematikat te bluzinjtë që tashmë do t’iu duhet të fillojnë gjithçka nga e para. Ndërkaq, Komisioni i Disiplinës ka dënuar lojtarin e Erzenit, Ngjela, me katër ndeshje pezullim pas sjelljes josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Ndërkohë, është paralajmëruar Besa se në rast se dështon përsëri të përmbushë përgjegjësitë në lidhje me sfidën, atëherë do të marrë masat ndëshkimore të parashikuara sipas rastit.

Luftëtari me trajner të ri, mund të ndryshojë emrin

Sot u bë zyrtare që Luftëtari nuk do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë, pasi Komisioni i Disiplinës përjashtoi skuadrën gjirokastrite nga Kategoria e Parë, që nuk mori pjesë në ndeshjet zyrtare, me Pogradecin në Pogradec dhe me Flamurtarin në Gjirokastër, duke humbur fillimisht pikët në tavolinë e tashmë ka ardhur edhe përjashtimi duke i zbritur gjirokastritët një kategori më poshtë, që do të thotë se Luftëtari do ta nisi në Kategorinë e Dytë. Madje, trajneri i Luftëtari që do të ketë emrin “AF Luftëtari” sipas gjasave, duket se do të jetë Mustafa Hysi, ai që shumë herë e ka ngjitur nga Kategoria e Parë në elitë, madje në 2015 për herë të fundit. Ndërkohë që në Gjirokastër ka nisur organizimi i Akademisë, me lojtarët deri në U-15 dhe U-17, madje edhe në futbollin e Superiores, ndërsa disa lojtarë nga U-19, apo dhe nga U-17, mes tyre edhe ata që janë pjesë e kuqezinjve U-17, pritet që të përbëjnë Luftëtarin e sezonit të ardhshëm, që pritet ta nisë nga pranvera e ardhshme në Kategorinë e Tretë

Vendimet e djeshme të Komisionit të Disiplinës

  1. Lojtari i KF Erzeni, Xhino Ngjela për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. 2. FC Besa, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF. 3. KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Parë kundër KF Turbina, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/d/e të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, përjashtohet nga aktiviteti për sezonin futbollistik 20/21 duke u zbritur një kategori më poshtë. 4. Lojtari i FK Skrapari, Skedi Shabani për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. 5. Skënderbeu Femra, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në ndeshjen kundër Apolonia – Femra në bazë të Neneve 30 dhe 64 të KDS humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. 6. KF Spartaku, për dështim në pjesëmarrjen në Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë në bazë të nenit të 27 te KDS dhe Nenit 109/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike përjashtohet nga Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë për sezonin 20/21 dhe dënohet me zbritje në një kategori më të ulët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here