“La Boheme”, në programin online të TOB për Ditën Botërore të Operës

0
282

Në Ditën Botërore të Operës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit zgjodhi në programin artistik online operën “La Boheme”, vepër e kompozitorit të njohur Giacomo Puccini. Drejtoresha Zana Çela shprehej se opera “La Boheme” është produksioni i plotë i TOB shfaqur një vit më parë, që shënoi kulmin e angazhimit të artistëve të rinj në tre vitet e fundit, e ardhmja e skenës operistike shqiptare. Opera “La Boheme” u shfaq në faqen e Facebook të Teatrit të Operës dhe Baletit. Regjia e këtij produksioni iu besua një regjisoreje të re Ada Gurra, e cila shënoi për herë të parë në karrierën e saj realizimin e një produksioni operistik të këtyre përmasave. Skenografia iu besua një tjetër të riu, Renold Sula. Orkestra e TOB një vit më parë kur kjo vepër erdhi në skenën e Pallatit të Kongreseve u dirigjua në katër netët e shfaqjes nga italian Lorenzo Tazzieri. Kostumografia është realizuar nga kostumografi Ardi Asllani. Ngjarjet në vepër zhvillohen në fundin e shekullit XIX në Paris, katër shokë jetojnë së bashku në një papafingo. Rodolfo dhe Marcello qëndrojnë në shtëpi duke punuar dhe vjen njëri nga të rinjtë, muzikanti Schaunard, i cili ka fituar para dhe ata vendosin për të ngrënë në një restorant aty pranë. Poeti Rodolfo nuk i shoqëron, sepse duhet të mbarojë shkrimin e tij, por ndërpritet nga Mimi, një rrobaqepëse e cila ishte fqinjë me të. Ato tërhiqen nga njëri- tjetri me shikim të parë dhe bashkë drejtohen për në restorant, ku po i presin miqtë e tij. Marcello, shoku i Rodolfos po flirtonte me ish- të dashurën e tij Musetta, e cila detyron shoqëruesin e saj të paguaj faturën për të gjithë. Më vonë Musetta dhe Marcello jetojnë bashkë, si Mimi dhe Rodolfo, kjo e fundit vuan nga tuberkulozi dhe do të ndahet nga Rodolfo, sepse ai mendon që nuk ka mundësi ta ndihmojë të shërohet. Musetta ndahet nga Marcello dhe katër shokët rikthehen në jetën e tyre në papafingo. Ata vizitohen nga Musetta, e cila ka shoqëruar Miminë. Mimi dhe pse tani jeton e pasur, kur ndjen se vdekja po i afrohet, shkon drejt dashurisë së saj të vetme, Rodolfos. Ajo dëshiron të vdesë në krahët e tij, e rrethuar nga miqtë e saj të vërtetë. Musetta, Marcello, Schaunard dhe Colline bashkohen në një përqafim të fundit, ndërkohë që Rodolfo qan mbi trupin e pa jetë të Mimisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here