“Për të gjetur më të mirët e Shqipërisë”, ambasada e SHBA flet për përzgjedhjen e kandidatëve të BKH-së

0
35

Mbyllet një tjetër fazë për përzgjedhjen e kandidatëve për Byronë Kombëtare të Hetimit. Dje përfundoi procesi i testit për aftësitë fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Në lidhje me këtë proces ka reaguar ambasada Amerikane, përmes një mesazhi në ‘Facebook’.

Teksa ka uruar kandidatët, ambasada thekson se jo të gjithë ia dolën sepse procesi është i vështirë, por i domosdoshëm, për të gjetur më të mirët e Shqipërisë.

Mësohet se nga 403 kandidatë për Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 103 kanë arritur që ta kalojnë testin e aftësive fizike, 300 prej tyre janë skualifikuar. Duhet të kujtojmë se vetëm 60 prej tyre do të pranohen në BKH.

Këta kandidatë do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim me 26.10.2020. Ndërkohë, testimi i radhës do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa pas testit të esesë, i pret vetingut dhe makina e së vërtetës.

MESAZHI I AMBASADËS

Urime kandidatëve të cilët kaluan në raundin tjetër të procesit së përzgjedhjes për Byronë Kombëtare të Hetimit. Jo të gjithë ia dolën sepse procesi është i vështirë, por i domosdoshëm, për të gjetur më të mirët e Shqipërisë.

NJOFTIMI I BKH

Komisioni i Përzgjedhjes në datë 23.10.2020, mbylli procesin e Testit për Aftësitë Fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit. Për të parë listën me kandidatët e kualifikuar, shikoni listën e kandidatëve që gjendet në LINK 1, bashkëlidhur.

Kandidatët e kualifikuar, në datën 26.10.2020, do t`i nënshtrohen Testit të Esesë me shkrim. Testi i Esesë do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, udhëzimet mbi zhvillimin e testit gjenden në LINK 2, bashkëlidhur. Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.

Falenderojmë gjithë aplikantët që shprehën vullnetin për të marrë pjesë në këtë konkurrim.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj