Nisin përplasjet brenda PS për të siguruar rikandidimin, aleatët rrisin presionet ndaj Bashës

0
39

Kodi i ri Zgjedhor duket se ka rritur konfuzionin brenda mazhorancës. 

Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas draftit të Partisë Socialiste, të cilat do t’i hapin rrugë hapjes së listave për deputetë dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore. Por gazeta ka mësuar se deputetët socialistë janë në ankth dhe konfuzë për të ardhmen e tyre, ndërsa janë tejet të paqartë se çfarë do t’iu ofrojë kodi i ri. Sipas informacioneve, mësohet se prej disa ditësh kanë nisur sherret e përplasjet brenda PS për të siguruar rikandidimin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Nisin sherret e përplasjet brenda PS

Arsyeja e parë është se disa nga ligjvënësit aktualë të Partisë Socialiste që janë zgjedhur deputetë në zonat nga ku dhe jetojnë, kanë shfaqur pakënaqësi dhe janë revoltuar me faktin që në zonat e tyre pritet të shkojnë për të kandiduar emra që nuk i përkasin atij komunitet, por që për shkak të hapjes së listave apo peshës që kanë në PS ata mund të propozohen aty. Kështu që, në kushtet kur pritet që të ketë shkëmbime dhe disa deputetët mund të kandidojnë në zona të tjera, deputetët “autoktonë” janë “irrituar”, duke e kundërshtuar një gjë të tillë. Madje, mësohet se në të gjitha takimet që kanë zhvilluar me bazën në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, mësohet se deputetët socialistë kanë nisur të propagandojnë kundër kolegëve të tyre. Pra, në kushtet kur hapja e listave do të jetë në nivel qarku, kandidati për deputet është i detyruar që të bëjë një fushatë të fortë jo vetëm me kundërshtarët e tij, por edhe brenda partisë së vet. Kjo pasi për të marrë sa më shumë vota, një kandidati për deputet i lipset që të sulmojë, kritikojë edhe kandidatët që vijnë nga partia e tij. Po ashtu, arsyeja e dytë se përse është rritur ankthi tek deputetët socialistë është fakti se ata nuk e dinë ende ku do të garojnë. Ndërsa arsyeja e tretë që ka shkaktuar përplasje brenda PS është se duke qenë hapja e listave do të rezervojë një garë të fortë elektorale, shumë nga deputetët aktualë të Partisë Socialiste pritet që të kalojnë në filtra, pasi do të peshohen nga strukturat e partisë dhe anëtarësia nëse ata kanë mbështetje apo jo në komunitet. Kështu që, mësohet se për të siguruar një vend në skuadrën e 25 prillit, shumë deputetë kanë angazhuar “besnikët” e tyre që në portalin “deputeti që duam” të vlerësojnë me nota kritike rivalët e tyre.

Aleatët rrisin presionet ndaj Bashës

Por nga ana tjetër edhe aleatët e Partisë Demokratike kanë shtuar presionet ndaj kreu të PD, Lulzim Basha sa i takon strategjisë që opozita joparlamentare duhet të ndjekë për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të vitit 2021. Mësohet se aleatët i kanë kërkuar Bashës që të dalë me një skemë të qartë, pasi janë konfuzë se si do të hyjnë në zgjedhje me një apo me dy lista. Ndërkohë një mesazh dje ia dërgoi edhe kreu i PR, Fatmir Mediu. Ky i fundit nga mbledhja e Këshillit Politik të Partisë Republikane Shqiptare, i cili ka në përbërje intelektualë, të rinj, profesionistë dhe pedagogë, theksoi se ky Këshill duhet të kthehet në një qendër të organizimit të debatit për forcimin e së djathtës dhe ideve të saj. “E djathta duhet të fokusohet në angazhimin e figurave historike me kontribut në jetën parlamentare, qeverisëse dhe publike, gjithashtu, të një brezi të ri intelektualësh të cilët krijojnë një vlerë të shtuar të së djathtës dhe janë e ardhmja në rrugën e ndryshimit dhe zhvillimit Europian të Shqipërisë. 25 prilli duhet të jetë fitorja e së djathtës, e vlerësimit të kombit, traditës, familjes dhe zhvillimit ekonomik. Kjo fitore duhet të shërbejë kundrejt ndërtimit të shtetit dhe të shqiptarëve dhe jo të pushtetit të kalbur e korruptiv, që rrënon të ardhmen europiane”, deklaroi Mediu.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj