Qeveria fal gjobat që janë vendosur gjatë kohës së pandemisë/ Si mund ti tërheqin lekët ata që i kanë paguar

0
211

Qeveria ka miratuar një ligj për të falur gjobat që janë vendosur gjatë periudhës së pandemisë globale të shkaktuar nga Covid-19. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor vendimi që gjobat që janë vendosur nga data 17 prill deri në datën 7 tetor 2020 do të falen. Po ashtu edhe personat të cilët janë dënuar nga bashkitë përkatëse me gjobë për cilësinë e dobët të ndërtimeve, që u prekën nga tërmetet e vitit të kaluar do të jenë pjesë e grupit të personave që do të përfitojnë falje. “Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, nga data 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020; Falen të gjitha masat administrative të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, tërmetet e datave 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin/rindërtimin e banesave individuale”, thuhet në ligjin që do kalojë për votim në Parlament. Për personat që kanë paguar gjobat, do ta tërheqin atë në llogaritë bankare, ose në mungesë të kësaj do ta tërheqin pranë institucionit ku kanë bërë pagesën. Kështu, qeveria ka kërkuar nga institucionet që kanë vendosur gjobat që brenda këtij muaji të përgatisin listën e personave të dënuar dhe numrin e llogarisë bankare. “Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma, me urdhër të nëpunësit të parë autorizues dhe kalohet në llogarinë bankare të subjektit përfitues ose, në mungesë të saj, kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues; Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020; Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020”, thuhet më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here