Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” këtë vit vjen në edicionin e shtatë. Ky është edicioni i dytë që zhvillohet në Tiranë, pas pesë edicionesh në Sarandë dhe Gjirokastër, pas të cilave organizatorët vendosën në favor të zgjerimit gjeografik të pranisë së festivalit, për shkak të prurjeve të tij. Festivali në edicionin e tij të shtatë do të zhvillohet nga data 11 deri më 16 tetor në Tiranë. Festivali vjen në edicionin e shtatë me rreth 70 prodhime kinematografike, filma artistik me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë do të shfaqen në amfiteatrin e Universitetit të Arteve, por për shkak të pandemisë nuk do të mungojnë dhe prezantimi online. Në njoftim e festivalit, bëhet me dije se në qendër vijon të jetë programi i filmit me metrazh të gjatë, në të cilin sivjet marrin pjesë filma nga Kosova, Gjermania, Rusia, Italia, Bjellorusia dhe Mali i Zi. Ky program do të ofrohet çdo mbrëmje në amfiteatrin e Universitetit të Arteve, në orën 19.00. Këtë vit seksioni i filmit të shkurtër përmban 22 filma nga 13 vende të botës, të cilët do të ofrohen çdo mbrëmje në amfiteatrin e Universitetit të Arteve dhe online në faqen zyrtare të “Dea open air” (deafilmfest.al), në orën 21.00. Seksioni i filmit studentor me 24 filma nga 10 vende të botës do të ofrohet në kinema “Dea open air 2” në mjediset e Universitetit të Arteve, ndërsa seksioni i filmit dokumentar me 16 filma nga 11 vende të botës do të ofrohet online në faqen zyrtare në (deafilmfest.al).
Filma dhe specialistë të kinemasë në festival
Në gjashtë edicionet e tij të fundit festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” e ka konsoliduar vendin e vet në botën e kinemasë. Sipas organizatorëve, në ekranin e tij kanë zënë vend jo vetëm filmat më të mirë të industrisë europiane të kinemasë së viteve të fundit, por gjithnjë e më shumë syresh. “Prirja reflektohet edhe në prurjet e këtij viti, me gjithë kushtet e pandemisë, të cilat reflektohen në numrin e reduktuar të kineastëve fizikisht të pranishëm nga Evropa dhe bota, por kurrsesi jo në numrin e veprave pjesëmarrëse”, vijon njoftimi për festivalin. Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit. Aplikuesit këtë vit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit, si në edicionet paraardhëse gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit janar 2020. Në njoftimin e festivalit bëhet me dije se specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar, të cilët i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon do të jenë këtë vit pandemie pjesërisht të pranishëm realisht, por shumë intensivisht virtualisht duke aksesuar filmat si edhe duke komunikuar me njëri-tjetrin online. Në kinema “Dea open air 1”- amfiteatri i Universitetit të Arteve do të organizohet dhe ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të shtatë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea open air Tirana 2020”. Mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit te shtatë do të zhvillohet në kinema “Dea open air 2” -Universiteti i Arteve. Edicionin e shtatë të festivalit e mbështet Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Arteve.