Ekspozita “Restaurime” për ikonat mesjetare në Muzeun e Artit Mesjetar

0
433

Ekspozita “Restaurime” vazhdon të qëndrojë për vizitorët në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Të gjithë ata që vizitojnë gjatë kësaj kohe Muzeun e Artit Mesjetar mund të njihen nga afër me mënyrën se si shpëtohen, për çdo ditë ikonat mesjetare. Ekspozita është e hapur në ambientet e brendshme të muzeut, që shprehet se ikonat janë restauruar nga specialistët përgjatë një viti 2019-2020. “Kjo punë e palodhur finalizohet me një ekspozitë, në vitin që MKAM përmbush 40 vjet që nga funksionimi i tij si muze”, bën me dije institucioni. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë shprehet se çdo ditë, në Laboratorin e Restaurimit, shpëtohen nga degradimi i kohës ikonat mesjetare, dhe dalin në dritë, vlerat e jashtëzakonshme që ato mbartin. Por dhe për ministren e Kulturës Elva Margariti Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga ato destinacione të trashëgimisë kulturore, që nuk duhen humbur. “Përveç pasurisë së jashtëzakonshme, që ruhet në të, ekspozita “Restaurime” është një arsye më shumë për ta vizituar. Falë punës së specialistëve, disa nga perlat e trashëgimisë sonë kanë shpëtuar nga degradimi”, shkruan Margariti në Facebook. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është çelur në vitin 1980. Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre, etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara. Në veçanti, koleksioni ikonografik që ky muze posedon, është një nga më të mëdhenjtë në numër (rreth 6.500 ikona) dhe po aq i bukur e i krahasueshëm me gjithë artin tjetër bizantin e pasbizantin të krijuar në territoret fqinje të inkuadruara në ish Perandorinë Bizantine. Drejtimet kryesore të aktivitetit të Muzeut të Artit Mesjetar janë ekspozimi dhe promovimi publik, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i objekteve, studimi e puna shkencore dhe aktiviteti ndërkombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here