Nuk justifikoi dot pasurinë, KPK shkarkon nga detyra Neritan Cena

0
277

KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Neritan Cena pasi sipas strukturës së vetingut ai nuk mundi të jusitifikojë pasurinë e tij.

Sipas Reporter.al Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime mbi pasurinë e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Neritan Cena, pasi gjeti transaksione të shumta në dhurata dhe hua nga persona të lidhur si dhe shitje në së paku dy raste të makinave të ndryshme me çmime më të larta sesa çmimet e blerjes.

Cena u shpreh i revoltuar me gjetjet e Komisionit dhe atij iu tërhoq vëmendja të kishte kujdes me tonin gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve me vëzhguesin ndërkombëtar, Steven Kessler. Cena ngriti pikëpyetje mbi metodologjinë e ndjekur nga KPK për analizën financiare si dhe për cilësinë e analizës së kryer, si dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

Cena u përball me gjetjet e hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli, Etleda Çiftja.

Relatorja Çiftja vuri në dukje se z. Cena ka blerë dy apartamente në Bremen të Gjermanisë dhe një apartament në Tiranë, të cilat i ka paguar me anë të dhuratave dhe huave nga persona të afërt, si babai, motra, kunata, baxhanaku dhe një djalë daje.

Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave si dhe sipas hetimit administrativ të KPK, Cenaj i ka deklaruar saktë transaksionet që ka blerë, por atij i mungojnë burimet e ligjshme për to. Edhe babait të Cenës, i cili ka dhuruar shuma parash duket gjithashtu se i mungojnë burimet financiare.

Në vitin 2015, Cenaj rezulton se ka blerë një apartament 98 metra katrorë në Bremen të Gjermanisë për 25 mijë euro, të cilën e ka paguar me një dhuratë nga babai në masën 22,757 euro si dhe me disa kursime.

Në vitin 2017, Cenaj ka blerë nga babai një apartament në Selitë të Tiranës me sipërfaqe 121 metra katrorë me vlerën 5.4 milionë lekë. Në këtë rast, burimi i të ardhurave të deklaruara është një hua e marrë nga kunata, emigrante shqiptare në Austri.

Cena ka blerë gjithashtu edhe një apartament të dytë në Bremen, Gjermani, me sipërfaqe 78 metra katrore dhe me çmim 48,500 euro, për të cilin ka paguar përmes sigurimit të 20 mijë eurove nga shitja e një makine dhe 16 mijë euro dhuratë nga e motra, emigrante në Itali. Ai ka deklaruar më tutje se ka marrë për këtë blerje 9 mijë euro hua nga e motra si dhe ka paguar 1108 euro nga kursimet e tij në vite.

Çiftja vërejti se marrëdhëniet e shumta financiare mes gjyqtarit dhe të atit, motrës dhe të kunatës, kanë ngritur pikëpyetje mbi ekzistencën e burimeve financiare të mjaftueshme te subjektet e lidhur.

Sipas analizës financiare të kryer nga KPK mbi të ardhurat e të atit të subjektit, i cili ka punuar si mjek në zonat rurale, duket se ai ka shpenzuar 10.5 milionë lekë për blerje pronash pas vitit 1994, ndërsa ka pasur 9 milionë lekë të ardhura dhe rreth 4 milionë lekë shpenzime minimale për një diferencë të pambuluar prej 5 milionë lekësh. Po kështu, KPK ngriti pikëpyetje mbi gjendjen financiare të motrës së subjektit dhe kunatës dhe mundësisë financiare për të bërë dhurata dhe për të dhënë hua.

Pikëpyetje u ngritën edhe mbi së paku dy transaksione në shit-blerje makinash. Në një rast, subjekti rezultoi se ka shitur për 400 mijë lekë, një automjet Benz që e kishte blerë disa vite më parë për 250 mijë lekë. Automjeti, sipas KPK, është çregjistuar për qëllim likuidimi për skrap pak kohë pasi Cena e shiti.

Gjyqtari tha në seancë se ishte në gjendje ta shpjegonte këtë çudi. Sipas tij, ai kishte investuar te mjeti i blerë 250 mijë lekë nga kursimet e tij duke sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e vlerës së tij, ndërsa fakti që mjeti ishte çregjistruar për skrap pak pas shitjes, lidhet me një aksident të kryer nga blerësi me mjetin, gjë që solli, sipas Cenajt, edhe zhdukjen e dokumenteve për investimet e kryera në mjet.

Një automjet i dytë i blerë nga djali i xhaxhait, ngriti pikëpyetje të tjera. Sipas hetimit administrativ, Cena e kishte blerë mjetin për 14 mijë euro, në një kohë që shitësi, djali i xhaxhait, e kishte blerë po atë ditë për 20 mijë euro.

Cena rezultoi se e kishte shitur makinën pak kohë më vonë për 20 mijë euro.

Cena protestoi ndaj gjetjes duke deklaruar se djalin e xhaxhait e kishte person shumë të afërt dhe se atij i “kishte lindur në zemër” ta shiste makinën më lirë, ndërsa ai vetë nuk kishte arsye të mos e shiste me vlerën reale. Ai e theksoi se me këtë makinë kishte qarkulluar vetëm pak qindra kilometra, gjë që shpjegonte mosrënien e vlerës së saj. Pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar se me çfarë mjeti kishte lëvizur pas shitjes së makinës, Cena rikujtoi se familja e tij kishte edhe një mjet tjetër të blerë me leasing.

Cena u përball pas relatimit me një seancë jo komode pyetje-përgjigjesh me vëzhguesin Steven Kessler.

Kessler, një amerikan, ndoqi modelin e pyetjeve po ose jo me subjektin, duke vënë në dukje se ky i fundit ka marrë shumë dhurata dhe ndihma nga personat e lidhur, por nuk rezulton që të ketë dhënë në ndonjë rast, dhurata apo hua për familjarët e tij. Ai theksoi gjithashtu se familjarët që kanë bërë këto dhurata, nuk duket se janë persona mjaftueshëm të pasur për të bërë dhurata kaq të shtrenjta.

Kessler vuri në dukje gjithashtu që Cena kishte qenë në gjendje të blinte dy prona në Gjermani dhe një në Tiranë, duke përdorur në të gjitha rastet, paratë e të tjerëve. Cena ngriti zërin në mënyrë të përsëritur. Ai i tha vëzhguesit se “nuk është i mirëinformuar” dhe se lidhjet familjare në Shqipëri janë shumë të forta, ndryshe nga vendet e BE-së, ku sipas tij “janë ftohur”.

Tonet e larta ndaj vëzhguesit Kessler nuk kaluan pa u vënë re nga kryetari i trupës, Roland Ilia, i cili i tërhoqi vëmendjen “për të pasur kujdes me tonin,” ndërsa Cena u ankua për ato që i quajti “aludime të pavërteta” dhe “të qëllimshme” nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar.

Gjatë mbrojtjes së tij, Cena e konsideroi si jotransparente dhe të pasaktë analizën financiare të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa argumentoi se një analizë më e saktë e shpenzimeve të familjes së tij nxjerr konkluzion të ndryshëm.

Sipas tij, analiza mbi shpenzimet e familjes, që KPK e merr nga Instituti i Statistikave si mesatare e shpenzimeve të konsumit familjar nuk është i vlefshëm në rastin e tij. Ai dha si shembull faktin që fëmijët e tij janë në një shkollë private, ku pjesë e pagesës në shkollë është edhe mëngjesi dhe dreka dhe se sipas tij, është e padrejtë që kjo të mos njihet si vlerë e kursyer në shpenzimet e familjes.

Ai e çoi më tutje analizën e tij, duke theksuar se duke qenë se ka jetuar me babanë për shumë vite dhe se babai i tij ishte mjek në zonat rurale, atij duhej t’i njiheshin si kosto të reduktuara jetese blerjet që babai i tij duhet të ketë bërë në zonat rurale, me çmime më të ulëta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here