Njihni aktorin shqiptar Luran Ahmeti, nga roli i rëndësishëm te “Sulejmani i Madhërishëm” deri te “Taken 2”

0
1120

“Di të bëj punën time, nuk mund të bëj reklamë”. Me këto fjalë e ka nisur rrëfimin e tij në rubrikën “Opinion” në News 24 aktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Luran Ahmeti i cili ka luajtur në shumë filma jashtë vendit, por që ndoshta shumë prej jush nuk e njihni.

Siç edhe sqaroi, ai është bërë tashëm i famshëm në Turqi, ku ka luajtur edhe në një nga serialet më të ndjekur të të gjitha kohërave, si “Sulejmani i Madhërishëm”. Lurani ka luajtur rolin e Kusret Pashait.

Lurani thotë se i vjen keq që në trojet shqiptare ai nuk është thirrur për ndonjë film, por pranon se një gjë të tillë do ta mirëpriste.

Lurani tregoi edhe njohjen e parë me producentët turq. “Në vitin 2008 një produksion turk erdhi në Maqedoni për të xhiruar një serial në Manastir. Isha fatlum që më pranuan dhe më dhanë një nga rolet kryesore. Fati im i mirë është që ai serial pati sukses në Turqi e më pas më hapi rrugët e karrierës atje”,- tha ai.

I pyetur se si ka mundësi që nuk dallon fare nga aktorët turq, Lurani u shpreh: “Punova shumë me gjuhën kur shkova në Turqi. Kam punuar tmerrësisht shumë. Për mua ka qenë nder të luaj një serial të tillë. Natyrisht jam ndjerë i nderuar shumë. Kam dhënë maksimumin nga vetja, gjithmonë brenda kornizave të produksionit. Shumicën e aktorëve të atij seriali unë i kam miq dhe ndjehem mirë kur bashkëpunoj me ta”.

I pyetur për rolet që preferon aktori shqiptar shtoi: “Fakultetin e kam mbaruar në Shkup për dramaturgji. Nëse nuk mund të jem heroi, atëherë kam vendosur të bëhem antiheroi, jo diçka më pak. Në dramaturgji asnjëherë aktori hero nuk mund të jetë i mirë nëse nuk e ka edhe antiheroin e mirë. Ju kam thënë që nuk jam dakord të luaj në role që nuk janë heroi ose antiheroi”,- shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here