Artan Hoxha: Kuotat në universitete po plotësohen, kemi gati skenarin për vitin e ri, nuk kemi raste të infektuarish nga stafet

0
62

Me përfundimin e afatit të aplikimit kuotat në universitet janë drejt plotësimit. Këtë lajm e bëri të ditur dje rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, i cili tha se deri më tani janë mbushur 69% e kuotave dhe vetëm 152 vende kanë mbetur të lira. Më tej ai tregoi se, deri tani është menduar që leksionet të bëhen online, ndërsa seminaret dhe praktikat që kërkojnë praninë fizike të studentëve të bëhen në auditore. “Universiteti Tiranës ka regjistruar në total 69% të kuotave. Aktualisht janë 1604 kuota të paplotësuara nga 5055. 38 vende kanë mbetur në drejtësi ka 1520 aplikime, 152 vende kanë mbetur në ekonomi. Shikojmë që ka një rritje të kërkesës për të studiuar në Universitetin e Tiranës. Ajo që mbetet sfidë në vazhdim, është fillimi i vitit të ri akademik që mbledh të gjithë numrin e studentëve dhe të pjesëmarrësve në proceset akademike që do të thotë rritet shumë numri i tyre në auditor dhe në ambientet e universitetit. Po shikojmë një kombinim të proceseve në distancë kryesisht leksionet, por akoma nuk është e vendosur, nuk duhet marrë si definitive dhe përdorimin e auditorëve për grupe me të vogla studentësh siç janë seminaret, praktikat, pra procese që nuk kërkojnë shumë student në një ambient”, deklaroi ai. Ndërsa sqaroi më tej se universiteti është duke krijuar një platformë online që do të jetë në përdorim nga të gjithë fakultetet për realizmin e leksioneve, rektori tregoi se nuk do të ketë ndryshime në tarifa në asnjë nga programet universitare. “Po krijojmë një platformë të Universitetit të Tiranës që do të shërbejë për të gjithë fakultetet dhe njësitë përbërëse të universitetit si një platformë e përbashkët e unifikuar, e cila përveçse e lehtëson komunikimin ka edhe disa të dhëna që merren për të disiplinuar procesin, për të ditur se kush është pjesëmarrës, për sa kohë ka qenë, nëse është kryer dhe si është kryer procesi mësimor. Tarifat e studimit si për ato bachelor dhe për master nuk do të ndryshojnë, por do të ketë një ulje në tarifën e regjistrimit të studentëve në ciklin e dytë të studimeve në Universitetin e Tiranës”, sqaroi ai.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj