Vendimi i Qeverisë/Pensionistët, PAK dhe familjet me ndihmë ekonomike përjashtohen nga tarifat për çdo aplikim dhe kërkesë informacioni

0
362

Qeveria ka vendosur që të gjithë pensionistët, personat me aftësi të kufizuar që nuk kanë fituar të drejtën e tyre dhe familjet e përfshira në skemën ekonomike do të përfitojnë falas dokumentacionet dhe procedurat për kërkesa të veçanta. Kështu me vendimin e publikuar dje në Fletoren Zyrtare të gjitha kategoritë e lartpërmendura kanë të drejtë të kërkojnë informacion apo marrin dokumentacion pa paguar asnjë tarifë. Sigurisht që ligji përcakton një sasi të dokumenteve dhe informacionit që përjashtohen nga tarifimi “Në bazë të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 13 dhe të pikës 3, të nenit 16, të ligjit nr. 119/2014 , “Për të drejtën e informimit”, ministri i Drejtësisë dhe ministri i  Financave dhe Ekonomisë udhëzojnë:  Personat e regjistruar në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfituese, sipas ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, e përfitojnë informacionin dhe dokumentacionin pa pagesë deri në 20 fletë, për çdo kërkesë ose në vlerën ekuivalente kur informacioni jepet në një format tjetër, pas vërtetimit të statusit përkatës”, thuhet në vendim. Sipas këtij vendimi të favorizuar janë pensionistët, të ndjekur  nga ata që janë të përfshirë në skemën e ndihmës shoqërore si edhe ata që janë në proces komisioni apo çështje gjyqësor për të marrë statusin e kategorive në nevojë. “Subjektet përfituese janë; personat, të cilët janë përfitues të skemave të  mbrojtjes sociale;  pensionistët; viktimat e dhunës në familje; viktima të abuzuar seksualisht dhe viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal; viktima të mitur dhe të miturve në konflikt  me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal; fëmijët, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;  fëmijët nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor; personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit”, theksohet në dokument.

Kategori të tjera përfituese dhe procedurat

Ndër të tjera përmes këtij vendimi të hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave është menduar edhe për ata të cilët kanë mungesë aftësie mendore të ndjekin procedurat dhe të merren me dokumentet. Ndërkohë nuk përjashtohen as familjet që nuk mund të përballojnë kostot që kanë procedurat e komisioneve të  ndryshme. “Përfitojnë personat që trajtohen në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor; personat, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi; personat, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor;  personat që të ardhurat e tyre janë më të ulëta se niveli i pagës minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në vendim. Sakaq më tej sqarohet se pas marrjes së kërkesës për informim nga subjekti kërkues, autoriteti publik, llogarit shumën që duhet paguar për riprodhimin dhe sipas rastit, për dërgimin e informacionit dhe njofton menjëherë kërkuesin. Në këto raste riprodhimi i dokumenteve të kërkuara do të bëhet nga sektori përkatës, me mjetet e riprodhimit që disponon autoriteti publik. Më pas subjekti kërkues bën pagesën e tarifës së përcaktuar nga autoriteti publik, për llogari të autoritetit publik, pranë një banke të nivelit të dytë. Një kopje të mandatit të pagesës, subjekti kërkues ia bashkëlidh kërkesës, drejtuar autoritetit përkatës. Në përfundim, me pagesën e tarifës përkatëse dhe paraqitjen e mandatit bankar, pranë autoritetit publik, dokumentet e kërkuara nga kërkuesi i dërgohen me postë ose i dorëzohen menjëherë të interesuarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here