Ngërç me Kushtetuesen/ 3 emra të skualifikuar ankimojnë vendimet e KED, politika lobime në prapaskenë për të gjetur kandidatë të besuar

0
248

Gjykata Kushtetuese pritet që të jetë e bllokuar edhe për disa muaj. Pavarësisht kërkesës dhe ultimatumeve të ndërkombëtarëve, politika ka arritur që ta çojë aty ku donte procesin. Më 17 korrik të këtij viti Këshilli i Emërimeve në Drejtësi s’kualifikoi nga gara të gjithë kandidatët, ndërkohë që hapja e garës për vakancat në Kushtetuese pritet të zgjasë edhe për pak kohë. Gazeta ka mësuar se 3 nga kandidatët e skualifikuar kanë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e KED. Bëhet fjalë për Shaqir Hasanaj, Ardita Buna dhe Vjosa Bodo (Mujo), të cilët mësohet se kanë paditur në datat 3 dhe 4 gusht vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i skualifikoi nga gara për 2 vendet vakante që i takojnë Kuvendit dhe Presidencës në Gjykatën Kushtetuese. Mësohet se relatorja që do të merret me shqyrtimin e këtyre ankimimeve në këtë gjykatë është zonja Alkelina Gazidedja. Kështu që nisur nga këto zhvillime, por edhe për faktin se deri në shqyrtimin e padive të tre prej kandidatëve të skualifikuar, si dhe vonesave që pritet të sjellë zbardhja e vendimit nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, ngritja e Kushtetueses do të ndodhë në një moment tjetër.

Politika lobime në prapaskenë

Por sido që të shkojë çështja e ankimimit, Gjykata Kushtetuese pritet që të jetë e bllokuar edhe për disa muaj, pasi nuk plotësohet kuorumi i kandidatëve. Burime të sigurta nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës i pohuan gazetës se palët po lobojnë shumë fort në prapaskenë për të gjetur kandidatë të besuar. Meta e Ruçi patën një takim javë më parë dhe pas takimit të tyre gara u bllokua. Mësohet se si Kuvendi ashtu dhe Presidenca po synojnë të gjejnë personazhe interesantë dhe të besuar për t’i futur në Kushtetuese. Edhe nëse tre kandidatët që kanë ankimuar vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të fitojnë të drejtën për të rihyrë në garë, nuk krijohet kuorumi dhe për rrjedhojë pritet të rihapet gara nga dy institucionet e emërtesës që kanë tagrin që të plotësojnë vakancat. Kështu që referuar ligjit, si Kuvendi ashtu dhe Presidenca do të duan rreth një muaj të përmbyllin listat e tyre dhe më pas t’i dërgojnë në KED, i cili do të bëjë verifikimet e nevojshme. Mirëpo tradita ka treguar se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do rreth 3 muaj që të mbyllë procesin e verifikimit, intervistimit dhe përzgjedhjes. Pra edhe sikur Kuvendi me Presidencën të hapin garën në gusht, emrat do shkojnë në shtator. Nga ana tjetër në fillim të dhjetorit do të ndryshojë përbërja e KED. Sipas ligjit do të hidhet shorti për të zgjedhur anëtarët e tjerë dhe kjo pritet të krijojë vonesa në vijimin e punës. Pra me gjasë edhe këtë vit Kushtetuesja do të ketë vetëm 3 anëtarë, përfshirë Vitore Tushën që është pa mandat. Nga ana tjetër arsyeja tjetër që pritet të kemi edhe për pak kohë të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese është edhe fakti që politika kërkon që të vendosë emra të besuar në këtë gjykatë, duke qenë se kjo e fundit është shumë e rëndësishme dhe ka në dorë në një farë mënyre të gjithë krerët e shtetit, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe kreu i Kuvendit. Pra, nisur nga këto detaje ngritja e Kushtetuese pritet të kërkojë edhe pak kohë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here