Shtohen telashet për LSI, pas ndryshimeve kushtetuese PD-PS hidhen në sulm për t’i rrëmbyer elektoratin, zbardhen porositë për bazën

0
304

Shtohen telashet për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, djegia e mandateve dhe ndryshimet kushtetuese që do t’i hapin rrugë hapjes së listave dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore, duket se do të dëmtojnë më tepër partinë e Monika Kryemadhit, krahasuar me Partinë Demokratike. Kjo e fundit është një parti që ka një elektorat bazë, ndryshe nga LSI, e cila elektoratin e saj e mban pranë vetes vetëm përmes punësimit. Por në kushtet kur Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar prej një viti të gjitha bashkitë e drejtuara prej saj, ka nisur edhe hemorragjia në radhët e kësaj partie. Sipas informacioneve, mësohet se me futjen në zyra të kryebashkiakëve socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, shumë nëpunës të LSI kanë nisur të kalojnë tek Partia Socialiste. Ndërkohë, “goditje” Lëvizjes Socialiste për Integrimi po i bën edhe Partia Demokratike, e cila sipas burimeve po i merr një pjesë të elektoratit. Mësohet se një nga arsyet se përse PD po investohet për të marrë elektoratin e LSI është fakti se ky i fundit është i paqëndrueshëm dhe për shkak se do të ketë një rivalitet të fortë brenda opozitës në zgjedhjet e ardhshme, pas ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin rrugë hapjes së listave dhe heqje së koalicioneve parazgjedhore.

Pas ndryshimeve kushtetuese, PD-PS në sulm

Por interesant është fakti se rikthimi i “hemorragjisë” në këto ditë të nxehta vere, ka ndezur alarmin tek Lëvizja Socialiste për Integrim, e sidomos tek krerët e saj, bashkëshortët Ilir dhe Monika Kryemadhi. Këtë të fundit teksa po shikojnë me sytë e tyre që “militantët apo anëtarët po rendin drejt PS dhe PD, janë pushtuar nga paniku. Kjo pasi nëse do të vijohet me këto ritme, brenda këtij viti LSI do të mbetet pa anëtarë, ku i vetmi elektorat i saj do të jenë vetëm drejtuesit e partisë. Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë, pasi Kryemadhi, Meta dhe drejtues të tjerë të kësaj partie kanë edhe një tjetër merak që po i sfilit dhe po i lë pa gjumë. Mësohet se një tjetër frikë e madhe që po bashkëjeton me Kryemadhin dhe të tjerë titullarë të kësaj partie është reforma zgjedhore. Kështu votimi i ndryshimeve kushtetuese që për rrjedhojë do të sjellë ndryshim të sistemit zgjedhor do të favorizonte Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, ku me shumë gjasa do të çonte për “skrap”, jo vetëm Lëvizjen Socialiste për Integrim, por gjithë partitë e tjera të vogla. Kjo pasi nëse supozojmë që PD dhe LSI do të hyjnë me listë të përbashkët, lufta brenda opozitës do të bëhet më e fortë sepse do të punohet fort që secila parti të marrë më shumë vota për kandidatët e saj, madje këta të fundit do të rivalizojnë fort edhe njëri-tjetrin edhe pse janë nga e njëjta listë. Ndërkohë rivalizim i fortë pritet të ndodhë edhe mes kandidatëve të Partisë Socialiste duke qenë se hapja e listave të imponon një fushatë të tipit mazhoritar.

Zbardhen porositë

Por nga ana tjetër gazeta ka mësuar se këto zhvillime kanë qenë të paramenduara pasi mësohet se kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë porositur vartësit e tyre që të mobilizohen fort, me qëllim “shkrirjen” e LSI. Mësohet se një nga taktikat që socialistët do të përdorin kundrejt militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim është se do t’i ftojnë në Partinë Socialiste, duke iu kujtuar që në fillim kanë qenë socialistë. Ndërsa një tjetër taktikë që socialistët do të ndjekin për të joshur militantë, është gjatë takimeve me militantët do t’u kërkojnë këtyre të fundit që t’i bashkohen PS, pasi LSI nuk do të vijë më në pushtet dhe se vetëm Partia Socialiste ua garanton vendin e punës. Ndërkohë që taktika tjetër është shkarkimi nga puna. Ndërkohë edhe PD do të përdorë taktika joshëse për të thirrur pas vetës elektoratin e partisë së Kryemadhit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here