Propozimi i Trump/ Pse Gjermania kundërshton kthim e Rusisë në Grupin e Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7)

0
43

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka kundërshtuar kthimin e Rusisë në Grupin e Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7), pas presidenti amerikan, Donald Trump ka përmendur mundësinë e kthimit të Moskës në grupin e fuqive ekonomike.

“Arsyeja e dëbimit të Rusisë ka qenë aneksimi i Krimesë dhe intervenimi në lindje të Ukrainës”, ka thënë Maas në një intervistë që pritet të publikohet të hënën në dy gazeta gjermane, Rheinische Post dhe Bonner General-Anzeiger.

“Prandaj, për aq kohë sa nuk kemi zgjidhje atje, unë nuk shoh mundësi”, të ribashkimit të Rusisë në G7, ka thënë Maas.

Trump ka sugjeruar kthimin e Rusisë në G7 në muajin maj, kur ka bërë të ditura planet për shtyrje të datës së organizimit të këtij samiti në muajin shtator, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai ka thënë se do të dëshironte të rriste listën e të ftuarve në këtë organizim, duke përfshirë në të Australinë, Rusinë, Korenë Jugore dhe Indinë.

Rusia ka qenë pjesë e këtij grupi, mirëpo është dëbuar pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014.

Maas ka thënë se marrëdhëniet me Rusinë tani janë vështirësuar “në shumë aspekte”.

“Vetë Rusia mund të kontribuojë më së shumti në hapjen e dyerve”, ka thënë Maas, kur është pyetur për kthimin e Moskës në grupin elitar.

Grupi i Shtatë Shteteve më të Industrializuara përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Japonia, Franca, Britania dhe Italia.

Leave a Reply