Thellohen përplasjet/ Meta godet Bashën: Sapo të miratohet Kodi i ri do shpall zgjedhjet e reja, të marrë pjesë kush të dojë

0
488

Thellohen krisjet mes presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Të enjten në mbrëmje teksa ishte duke folur në një intervistë televizive, kryedemokrati Basha nxori blof presidentin Meta për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 13 tetorit. Ndërsa dje ka ardhur edhe reagimi i kreut të shtetit. Nga Presidenca duke folur në një konferencë për mediat, zoti Meta deklaroi se me miratimin e reformës zgjedhore ai do të shpallë ditën e zgjedhjeve të ardhshme brenda hapësirës ligjore që i jep Kushtetuta e ligji. Madje, Meta theksoi se këtë do e bëjë pa u konsultuar me partitë dhe kush të dojë le të futet në zgjedhje. “Po bëj të qartë se në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë, i miratuar me konsensus apo jo, në hapësirën që më jep Kushtetuta do të bëj shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, të ardhshme menjëherë pa u konsultuar me asnjë parti pasi jam i sigurt që të gjithë mezi po presim, por edhe sado pak më legjitim një Parlament se sa ky që është. Dekreti i Presidentit të Republikës është shumë i qartë, firmos dhe kushdo të hyjë në zgjedhje, ndërsa kush nuk do të mos hyjë është problemi i tij”, deklaroi ai. Por kjo deklaratë është një kundërpërgjigje ndaj Bashës dhe një mesazh i koduar për këtë të fundit, që refuzoi të merrte pjesë në zgjedhjet e vendorit të dekretuara nga Meta, por edhe për faktin se këmbëngul se nuk do të shkojë në zgjedhje pa qeveri tranzitore. Pra, duket qartë që raportet mes presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratit Lulzim Basha janë të tendosura e të acaruara.

Reforma zgjedhore dhe teatri

Duke komentuar tryezën e Këshillit Politik, presidenti Ilir Meta deklaroi se pret nga palët politike të arrijnë një konsensus për reformën zgjedhore, ndërsa siguroi se nëse ndodh kjo do ta firmosë menjëherë Kodin e ri. “Ju keni kuptim se çdo të ndodhë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Atëherë duhet të keni të qartë, sikur u kam thënë vjet se nëse nuk do të bëhen zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse Shqipëria do të ngelë në klasë dhe mori në qafë Maqedoninë. Shpresoj shumë se ka një progres për këshillin polik dhe mesi po pres të duartrokas këtë konsensus. Kudo që të jem do të kthehem menjëherë që të firmos konsensusin e tyre dhe të lajmëroj të gjithë botën se kjo është një arritje shumë e madhe”, u shpreh ai. Por presidenti Meta u kujdes që të lëshonte edhe një paralajmërim, teksa theksoi se nuk do ta dekretojë reformën zgjedhore nëse nuk ka konsensus dhe kalon në mënyrë të njëanshme. Madje, kreu i shtetit iu dërgoi edhe një mesazh opozitës dhe mazhorancës se nëse nuk ka konsensus për reformën zgjedhore, sipas tij, nuk ka as integrim. “Nëse palët nuk bien dakord do të shoh se si do miratohet në mënyrë të njëanshme apo është në përputhje me Kushtetutën, me rekomandimet mundësia ime është ta kthejë njëherë për reflektim, por kaq, por se si veprojnë nuk është më në dorën time. Por nëse është me konsensus që të gjithë mezi po e presin dhe dy ditë kanë ngelur, por dhe në mënyrë të njëanshme nuk do të habitesha. Nëse Kodi nuk miratohet me konsensus zero hapje negociatash me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë por edhe pas zgjedhjeve që vijnë , nja 5 vite të paktën i kemi të humbura. Përgjegjësia është e palëve që bëjnë këto gjëra”, tha ai. Ndërkohë, presidenti Ilir Meta zbuloi se ka rëndë dakord me “Europa Nostra” që të niset një hetim ndërkombëtar për shembjen e Teatrit Kombëtar. “Kam zhvilluar një bashkëbisedim me Europa Nostra që i falënderova për promovimin e ruajtjes së kulturës tonë dhe ramë dakord për hetim ndërkombëtar për shembjen e teatrit dhe vijuar bashkëpunimin dhe për shumë çështje të tjera me trashëgiminë tonë kulturore si pjesë e trashëgimisë europiane”, nënvizoi Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here