Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të shtyjë shqyrtimin e kërkesës së presidentit Ilir Meta, i cili kërkon ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Në mbledhjen e zhvilluar online Ilir Toska anëtar i këshillit, tha se Dvorani duhet të njihet me të gjithë korrespondencën që ata kanë pasur me presidentin, në mënyrë që kreu i KED të ketë mundësinë e një mbrojtjeje efektive.
Gjithashtu, anëtari tjetër i KLGJ, Erion Muharremaj kërkoi që për këtë çështje të japin një mendim edhe partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë asistuar reformën ne drejtësi. Megjithatë, kjo mbledhje nxori në pah një ndarje të KLGJ për këtë çështje pasi 4 prej anëtarëve ishin kundër këtyre dy kërkesa dhe duhet të kalohej direkt tek vendimi.
Sipas presidentit Meta, Dvorani mund të zëvendësohet nga gjyqtarët e emëruar së fundmi në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa Ardian Dvorani në shpjegimin e tij e cilëson kërkesën e presidentit si cenim të pavarësisë së gjyqësorit. Gjithashtu Dvorani argumenton se sipas ligjit ai qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit të tij.
Ardian Dvorani, është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në shkurt 2005, ndërsa më parë ka kryer dhe funksionin e prokurorit që para rrëzimit të sistemit monist. Mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë zgjat 9 vjet dhe për rrjedhojë, mandati i Dvorani ka përfunduar që prej vitit 2014.








































