A do shkarkohet Albin Kurti si kryeministër? Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 11:00

0
171

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Seanca do të nisë në orën 11:00, ndërsa mbahet me kërkesë të 44 deputetëve.

Në këtë seancë nuk do të ketë mysafirë të pranishëm, pasi hapësira nevojitet për distancë ndërmjet deputetëve, për shkak të situatës me Coronavirus.

Ndryshe, lidhur me çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti kanë reaguar edhe ambasadat.

Franca dhe Gjermania janë shprehur të brengosura për situatën politike në Kosovë, në kohën kur uniteti politik është i nevojshëm për t’u përballur me krizën e COVID-19.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrive të jashtme të këtyre dy vendeve, thuhet se “Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u përballur me këtë krizë. Prandaj, u bëjmë thirrje që vota e votëbesimit ndaj Qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.

Sa i përket marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, diplomacitë e këtyre dy vendeve thonë se, “presim që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hequr pengesat për rifillimin e dialogut”.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se i vjen mirë që në Kuvendin e Kosovës, do të mbahet seanca për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Jam i kënaqur të shoh që Kuvendi do të mbajë nesër seancën për votimin e mocionit. Siç i kam thënë kryeministrit sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Leave a Reply