Romeo Kara: Ja si Meta-Berisha kanë mbërthyer drejtësinë, afera e CEZ do i fundosë, nuk mashtrojnë dot më popullin si me bllokun 700 mijë euro

0
292

Juristi Romeo Kara ka bërë një tjetër thirrje për drejtësi sa i takon skandalit me privatizimin e ish-OSSH nga CEZ. Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme transferoi padinë e tij ndaj gjyqtarit që pushoi hetimet ndaj Berishës dhe ish-ministrave të tij. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Romeo Kara rrëfen përshtypjet e tij mbi këto sjellje të drejtësisë për këtë skandal. Po ashtu ka treguar se dyshja Meta-Berisha e kanë mbërthyer drejtësinë dhe prandaj nuk u hyn gjemb në këmbë.

-SPAK refuzoi padinë tuaj për çështjen CEZ, ndërsa tani shpresat janë te Apeli? Pse po groposet kjo çështje?

Së pari dua të theksoj se, ata që janë kallëzuar prej meje lidhur me aferën e privatizimit të OSSH-së, e dimë mjaft mirë që unë e kam investiguar më së miri këtë aferë dhe kam dorëzuar një kallëzim i cili është dërrmues për ta, nëse ai shkon në gjykatë për t’u gjykuar. Duke qenë që një gjykim i mundshëm do të ishte publik, pasi ka të bëjë me vepra korruptive dhe shpërdorimi të detyrës të funksionarëve më të lartë shtetërorë, në dëm të parave publike, të kallëzuarit e kanë menduar gjatë dhe e kanë vendosur se ata duhet ta mbyllin me çdo kusht këtë proces pa vajtur për gjykim. Ata e kanë të pamundur për t’u përballur në gjykatë, në një proces të hapur për publikun dhe median. Atyre iu dha një kohë tepër e gjatë për të rrënuar integritetin e këtij procesi, sepse prokuroria dhe gjykata u bënë bashkë, mbrojtjes të abuzuesve publike. Prokuroria jo vetëm që nuk bëri asnjë hetim lidhur me pasurinë e të kallëzuarve, kryesuar me Berishën dhe Rulin, jo vetëm që nuk bëri sekuestrimin e pasurive të tyre si dhe të materialeve komprometuese që mund të gjendeshin në ambientet e tyre, jo vetëm që nuk i arrestoi ato, por nuk pati as guximin dhe as integritetin për t’i pyetur ato. Prokuroria me një këmbëngulje të çuditshme, nuk e hetoi këtë çështje, e sabotoi hetimin e kësaj çështjeje, punoi vetëm për ta mbyllur këtë çështje, duke mos qenë asnjë sekondë qoftë edhe për mirësjellje pro këtij kallëzimi dhe idesë se kjo çështje edhe mund të çohet në gjykatë. Nëse kjo çështje gjykohet, patjetër që aleanca në heshtje e të gjithë politikes së vjetër mëkatare konsiderohet e prishur dhe do të fillojë një lloj tjetër lufte politike e bazuar në akuza direkt dhe servirje provash që po ruhen nën tavolina. Nëse ky proces shkon në gjykatë, hapet sipari i dënimit të korrupsionit gjë që nuk i leverdis krejt politikës shqiptare pa përjashtim, e cila ka kohë që operon vetëm brenda bërllokut të korrupsionit. Politika është e interesuar për ta ruajtur statukuonë e këtyre 30 viteve dhe po tregohet solidare kur vjen puna tek goditja reale e korrupsionit. Nëse nuk do të ishte e vërtetë kjo gjë, sigurisht që sistemi gjyqësor nuk do të kishte rezistuar kaq gjatë në mbrojtje të hapur të korrupsionit.

-Si e shihni sistemin e drejtësisë dhe a vijojnë shumë gjyqtarë e prokurorë të jenë të ndikuar nga Berisha?

Realisht mendoj dhe them se akoma nuk jam takuar apo përballur me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë të ndikuar nga Berisha, apo që nuk kanë frikë të përballen me Berishën. Ata mund të jenë trimat më të mëdhenj në botë, por përballë Berishës deri më tani askush prej tyre nuk ka treguar se ka integritet, guxim apo bythë të merret me të. Kur ta takoj të parin prej tyre që do ta bëjë këtë, patjetër që do tua bëj të ditur edhe juve. Sistemi prokurori-gjykatë është tërësisht i kompromentuar, i amortizuar dhe i paaftë të bëjë detyrën e tij kushtetuese dhe ligjore. Kjo është e vërteta.

-Ndërkohë ju keni dorëzuar një padi ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit për aferën CEZ-DIA. Ç’po bëhet me këtë padi apo dhe presidenti ka pjesën e vet në drejtësi?

Lidhur me kallëzimin tjetër që unë kam bërë ndaj shtatë personave që janë përfshirë sipas meje në aferën DIA-CEZ, ku përfshihen Berisha dhe Meta së bashku me beniaminin e tyre Ismailaj, unë konstatoj se deri më tani ndikimi i Metës është shumë i fortë, pasi edhe pse kanë kaluar mbi 20 muaj nuk kemi asnjë hetim apo zhvillim lidhur me çështjen. Dosja deri më tani është mbajtur peng nga prokuroria si një shërbim i hapur që i bëhet Metës dhe Berishës. Në këtë rast kemi një zhvillim shumë të rëndësishëm, ku akuzat e mia, gjejnë një mbështetje të plotë nga gruaja e Ismailajt e cila ka dhënë një interviste të qartë nga Vjena në 12 Shkurt 2016, ku akuzonte Metën si një nga pushtetarët kryesorë që ishte i interesuar për mos hetimin e kësaj çështjeje dhe ndikimin e paligjshëm të tij në marrjen e vendimeve të ERE me favor të CEZ-it dhe në dëm të shtetit shqiptar. Kemi gjithashtu edhe disa dëshmi të tjera nga ish kryetari i parë i LRI-së që ka qenë i përfshirë në këtë aferë, ish administratori çek i CEZ-Shpërndarje dhe të tjerë. Pra, unë si profesionist them se kjo akuzë është e pamundur të bjerë poshtë nëse do të kemi minimumin e integritetit. Padyshim që Meta është një njeri me ndikim të fortë në drejtësi. Ky është një ndikim i testuar dhe i provuar tashmë ku më sinjifikativja është maskarallëku i Gjykatës së Lartë, por me moral të ulët, që bëri për budallenj të gjithë shqiptarët duke e shpallur Metën të pafajshëm duke hedhur poshtë në mënyrë qesharake dhe absurde regjistrim e publikuar nga ish ministri Prifti. Në atë rast u shfaq publikisht bashkëpunimi Meta-Berisha, kur një ditë përpara marrjes së vendimit, ata u frynë bashkë publikisht në Gjirin e Lalzit në një darkë mafioze pune. Meta e kishte kompromentuar tërësisht ish kryetaren e Gjykatës së Lartë së cilës sot si për çudi i ka rënë shorti për të gjykuar në Apel çështjen e privatizimit të OSSH-së. Vajzën e saj, Meta e çoi në Vjenë pranë misionit të OSBE-së dhe më pas e kandidoi për deputete në qarkun e Kukësit. Pikërisht kësaj gjykatëseje i bie shorti edhe për çështjet e mia me Shkëlzen Berishën. Ky është thelbi i vërtetë i aleancës Meta-Berisha dhe pikërisht kjo gjë i lidh ata dhe i detyron të bëjnë çdo lloj roli, që nga puthja e Kushtetutës, marrja e maleve, gjunjëzimi përgjatë bulevardit, ultimatumeve politike etj.

-Ju keni informuar dhe ndërkombëtarët për këtë dosje. Ka pasur mbështetje apo reagim?

I kam informuar ndërkombëtaret dhe ata fillimisht besonin shumë tek momenti kur SPAK do të niste punën e tij. E shoh se edhe ata janë të zhgënjyer dhe të hutuar. Jua kam bërë të ditur atyre se nuk jam shumë optimist për SPAK-un pasi nuk kemi një frymë të re, por kemi thjesht një selektim të pabesueshëm të ish gardës së vjetër. Pra, unë nuk pashë asnjë mundësi tjetër përveçse iniciativës sime personale dhe besoj se ajo ishte rruga e vetme. Ndërkombëtarët padyshim që janë mjaft të interesuar për vënien në funksionim të drejtësisë dhe sidomos goditjen e korrupsionit. Ata janë mbështetës në këtë proces, por jo aktorë të mirëfilltë, kështu që nuk duhet hiperbolizuar roli i tyre, por i duhet bërë e qartë opinionit publik se problemi i drejtësisë duhet të kthehet në kauze për të gjithë popullin. Vetëm atëherë do të marrë zgjidhje kjo punë.

-Do vijoni te këmbëngulni për t’i shkuar në fund çështjes CEZ, duke qenë se deri tani vetëm Ismailaj është dënuar?

Padyshim që unë do të vazhdoj t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje si dhe vënies në eficencë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Ismailaj nuk do të jetë i dënuari i fundit i kësaj afere dhe unë ju siguroj për këtë. Ai do të mbahet mend vetëm si i dënuari i parë i korrupsionit të lartë në Shqipëri. Çdo betejë mund të fitohet nëse arrin të mbrosh parimet, mbështetesh në të vërteta të shenjta dhe nuk dorëzohesh. E gjithë kjo jetë është vetëm një provë durimi dhe morali. Pavarësisht se duket sikur situata është e pashpresë, nëse kthejmë kokën pas, do shohim se kemi bërë shumë punë dhe një rrugë të gjatë. Përpara pesë-gjashtë viteve as që bëhej fjalë ta mendoje dënimin e Metës dhe Berishës, ndërsa sot jemi të revoltuar pse dënimi i tyre është tepër i vonuar. Për fat të mirë, opinioni publik është shumë më përpara nivelit të punës së sistemit tonë të drejtësisë, gjë që e vë këtë sistem nën një presion të papërballueshëm. Unë patjetër që do t’i bëj të gjitha përpjekjet e mia dhe ju siguroj se ne do t’ia dalim. Tashmë në horizont po duket edhe një lëvizje popullore për drejtësi, gjë që flet për një të ardhme të shpejtë të ndryshme nga ajo që mundohet ta sabotojë kjo politikë mëkatare.

-A mendoni se do shkarkohet presidenti apo do kemi sërish pazare?

Nuk mendoj se do të shkarkohet presidenti. Këtë e kam thënë që në maj të vitit të kaluar, duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjet e vendit. As mazhoranca nuk e shkarkon dot presidentin dhe as presidenti nuk mund të shpërndajë Parlamentin. Shkarkimin e presidentit e bën vetëm Gjykata Kushtetuese, ndërsa Parlamenti mund të shpërndahet vetëm nëse nuk mund të zgjidhet presidenti, nuk mund të formohet qeveria apo nuk fiton votëbesimin qeveria. Kjo tregon se palët janë thjesht në një lufte demagogjike me njëra-tjetrën dhe nuk i besojnë as vetë ato çfarë nxjerrin nga goja lidhur me këto dy çështje. Parë në këtë këndvështrim, është i paarsyeshëm axhitimi i Metës, pasi atij lidhur përsa më sipër nuk i rrezikohet asgjë. Ai mund të shkarkohet dhe patjetër që duhet të shkarkohet për arsye të aferës DIA-CEZ, gjë të cilën ai e di mjaft mirë. Ky është halli i vërtetë i presidentit dhe jo deklaratat zhurmuese të Ballës. Duke e parandjerë fatin e tij, ai kërkon të luajë me kartën e destabilitetit politik, gjë të cilën mund ta bëjë më mirë nga pozicioni i kryetarit të opozitës së bashkuar. Motivin e ka të njëjtë me Berishën, çfarë kanë thënë kundra njëri-tjetrit janë hedhur pas krahëve, tani ju ka ngelur vetëm Luli si pengesa e fundit. Megjithatë nuk mendoj se do të jemi aq të mallkuar sa të asistojmë edhe dorëheqjen e Metës si president për të zëvendësuar Lulin dhe Monikën bashkë. Edhe një pjese jo të vogël të PD nuk i shijon fare kjo ide, e pazarit të fundit të politikes. Pazari është filozofia dhe thelbi i kësaj politike 30 vjeçare dhe nuk do të çuditesha nga pazari i radhës. Ky pazar padyshim që do të vazhdoje ritualin e tij, derisa faktori popull ta fshijë njëherë e mirë.

Intervistoi: Kliti Topalli

Leave a Reply