SHBA ndez motorët për luftën antikorrupsion, jep 4 mln dollarë për ngritjen e BKH sipas modelit të FBI dhe zbardh skemën si do shkohet te pushtetarët

0
239

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka paralajmëruar dje se me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të nisë një epokë e re në luftën kundër korrupsionit. Përmes një video ilustruese të publikuar në faqen e saj zyrtare të internet, ambasada amerikane tregon mënyrën se si do të rekrutohen hetuesit e BKH, ndërsa thekson se SHBA është e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas selisë diplomatike, Byroja Kombëtare e Hetimi do të funksionojë si FBI amerikane.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), njësia hetuese dhe një nga dy elementët e SPAK, do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane dhe do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. BKH-ja do të jetë njësia hetuese e SPAK dhe do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane. Ajo do të përbëhet nga hetues të pavarur apolitikë, të cilët do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar”, thuhet në reagim.

Të korruptuarit do të japin llogari

Por me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Në videon ilustruese të publikuar në rrjetet sociale, ambasada e SHBA në Tiranë thekson se zyrtarët e korruptuar shumë shpejt do të japin llogari para organeve të reja të drejtësisë në Shqipëri. “Elementi i dytë i SPAK do të jetë Zyra e Prokurorit të Posaçëm, ose SPO, e cila do të çojë në gjykatë çështjet e hetuara nga SPAK. Në të kaluarën njerëzit me para apo pushtet mund të ndikonin në sistemin gjyqësor që të vendosnin në favor të tyre. Sapo të themelohen, BKH dhe SPAK do të punojnë së bashku në mënyrë që ish-zyrtarë të korruptuar dhe bosë të krimit të organizuar të japin llogari”, thuhet në video.

SHBA: Kemi dhënë 4 milionë dollarë

Më tej në videon ilustruese të publikuar në rrjetet sociale, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zbulon se qeveria amerikane ka dhënë plot 4 milionë dollarë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas ambasadës, këto para do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin transparent dhe profesional të drejtësisë që qytetarët e saj meritojnë. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë pothuajse 4 milionë dollarë për BKH-në. Kjo ndihmë do të shkojë për trajnimin e hetuesve të BKH-së. Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara do të ofrojë trajnim të nivelit më të lartë për të hetuesit e BKH-së në Akademinë e FBI-së në Virxhinia dhe në Shqipëri për të siguruar që hetuesit e BKH-së të jenë hetues kriminalistikë shumë të aftë”, thuhet në reagim.

Ja si do shkohet te pushtetarët

Interesant është fakti se në videon e publikuar në rrjetet sociale, ambasada e SHBA bën me dije se pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit do të atashohen hetuesit më të mirë, në mënyrë që sipas saj, goditja ndaj krimit dhe korrupsionit të jetë efikase. “Ne do të kontribuojmë me financime për të siguruar që BKH të ketë financimet e nevojshme për të ndërtuar një rrjet të teknologjisë më të mirë dhe të pavarur. Hetuesit e BKH-së do jenë pjesë e një force elitare hetuese dhe puna e tyre do të jetë sfiduese fizikisht dhe mendërisht. Ne do të ndihmojmë në zhvillimin e standardeve të rrepta fizike dhe mendore për suksesin e tyre për të vlerësuar integritetin dhe ndershmërinë e aplikantëve në BKH. Hetuesit e BKH-së do të jenë ndër zyrtarët e zbatimit të ligjit më të trajnuar dhe të verifikuar me hollësi në Shqipëri”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here