Partia Demokratike ka shënjestruar kryebashkiakun e radhës sa i takon procesit të dekriminalizimit. Pas Vorës, Shkodrës e Vaut të Dejës shënjestra e radhës është Mallakastra. Partia Demokratike me anë të një shkrese zyrtare, i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e kryebashkiakut Qerim Ismailaj. Sipas denoncimit të PD, kryebashkiaku Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar në shtetin grek. Informacionet e bëra publike nga PD, tregojnë se kryebashkiaku i Mallakastrës nuk ka dëshmuar në formularin e dekriminalizimit dhe si pasojë e ka falsifikuar këtë të fundit.
“Pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me jo”, theksohet në shkresën e PD. Mes të tjerash në njoftimin zyrat të PD në lidhje me këtë temë, theksohet se duke qenë se ka një interes publik të lartë për këtë çështje, PD kërkon që Prokuroria të bëjë verifikimet e nevojshme me synim që të arrihet qëllimi që ka ligji i dekriminalizimit, pra të largojë personat me të kaluar kriminale.
Reagon Bardhi
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ditën e djeshme sa i takon denoncimit që ka bërë partia e tij, ndaj kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj. Në deklaratën e tij për mediat të bërë nga selia blu, theksohet se Ismailaj ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar dhe dëbuar në periudhën 1999-2000. Bardhi nënvizon faktin se ky është kryebashkiaku i katërt që denoncohet nga PD, pas Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit. Të katër kryebashkiakët janë denoncuar nga PD se nuk kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin se kanë qenë të arrestuar më parë.
“Ky është rasti i katërt, pas atij të Shkodrës, Vorës, Vaut të Dejës që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar dhe ndan pushtet politik me krimin e organizuar. Njëlloj si Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku apo Babani i Vaut të Dejës edhe Edi Rama i Mallakastrës u përbetua sot para mediave se nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë në Greqi. Në fakt ky është një mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di mirë se ka të shkuar kriminale dhe se është i dënuar në shtetin grek. Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik”, ka deklaruar Bardhi. Më tej në fjalën e tij ai është shprehur se ligji i dekriminalizimit nuk është detyrë e demokratëve, por përpos kësaj PD i ka mëshuar shumë kësaj çështje dhe e ka ndjerë si obligim denoncimin e këtyre kryebashkiakëve.
Më tej Bardhi ka deklaruar se nga ana e Prokurorisë ka pasur jo seriozitet duke i shtyrë procedurat në mënyrë të pajustifikuar. “Në fakt kjo nuk është detyrë as e Partisë Demokratike dhe e asnjë partie politike në vend, detyrë për të zbatuar ligjin e Dekriminalizimit e ka në radhë të parë njeriu që i kandidon këta kriminelë në pozicione publike dhe pas tij organi i Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo që ka vërejtur Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë një sorollatje e pajustifikuar e procedurave të verifikimit nga ana Prokurorisë së Përgjithshme”, është shprehur ai.