Gazetarja e kronikës së zezë në ‘News24’ Klodiana Lala, vrasjen e biznesmenit Kastriot Ruçi sot në Rrëshen e quan një ngjarje të paralajmëruar që ka pas si motiv hakmarrjen mes dy fiseve për prishje të pazareve të drogës. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tha se mendohet që autorë të ngjarjes kanë qenë dy persona, të cilët thuhet se kanë përdorur armë me silenciatorë (pranë vendit të ngjarjes është gjetur një snajper).
Gazetarja Lala teksa u rikthye pas në 5 vrasjet e ndodhura, ku nxjerr në pah konfliktet e hershme të fisit Reçi dhe atë Gjini, theksoi se pista kryesore ku po heton policia është për larje hesapesh për çështje droge. Sipas saj viktima e sotme, baba i një djali, ishte person me precedent penal dhe i përfshirë në çështje të trafikut të drogave të forta, nga Amerika Latine, Belgjika, Holanda deri në Itali dhe Shqipëri.
“Ngjarje e paralajmëruar. Pasi ka pasur një konflikt mes dy familjeve Reçi dhe Gjoni. Ai ka qenë në këmbë, pasi ka dalë nga automjeti dhe po priste një grup me të cilin do të diskutonte një çështje biznesi. Është qëlluar me armë silenciator, por do duhet të përcaktohet distanca që është qëlluar dhe nëse ka gjurmë në armën e krimit. Në 9 shtator në 2016 është vrarë Sajmir Jaku, ish-drejtori i OSHEE, në një lokal të populluar, ndërsa dyshohet se bëhej fjalë për përfshirje në trafik droge. Kishte dyshime se i përfshirë ishte Kastriot Reçi, gjë që s’u provua kurrë. Nuk ishte e gjatë koha kur në 28 prill të 2017-ës u vra Gasper Reçi, një personazh problematik, pasi ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në veprimtari të tjera. Ngjarje që nuk u zbardh asnjëherë. Në 6 shtator 2017 u ekzekutua Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Ngjarja në rrëshen, ndodhi si zinxhir i hakmarrjes mes dy familjeve. Në mes të Rrëshenit në 2019-ën më parë u vra dhe Armando Gjini. Ai u arrestua si i dyshuar si një ndër anëtarët e bandës së Met Kananit. Ai i mbijetoi një atentati të mirëorganizuar më herët, por u vra pak më vonë. Dhe mbërrijmë deri tek ngjarja sot. Çfarë po bën prokuroria?! Veprimi i parë hetimor është bërë këqyrja e trupit të viktimës, ku rezultoi se ai kishte marre nje plumb. Më pas është marrë në pyetje zonja që kishte lënë ai takimin, për çështje pune. Janë pyetur edhe dëshmitarë të tjerë, që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mendohet se autorët mund të kenë qenë dy persona. Po këqyren kamerat e sigurisë për të parë lëvizjen e tyre, nëse ata kanë lëvizur apo jo me makinë. Duhet të kontrollohet dhe telefoni i viktimës. Dosja e parë që është hapur, ishte vrasja mafioze e Armando Gjinit, për t’i dhënë pjesëtarëve të hetimit më shumë informacione. Gjini u ekzekutua në sy të fëmijëve të mitur. Ende nuk ka të dhënë mbi autorët e ngjarjes, mund të kenë qenë dhe vrarës me pagesë. Viktima ishte i përfshirë në çështjen e trafikut të drogave të forta, nga Amerika Latine, në Holandë e Belgjikë e Itali. Mund të ndodhë që një fije floku, një cigare, mund të sjellë grupin hetimor drejt autorëve. Janë një seri ngjarjes të pazbardhura. Dhe kur policia nuk reagon dhe nuk zbardh ngjarjen, i lë familjet më pas që të përplasen me njëri-tjetrin. Kur ka hakmarrje për pazare droge, ai është plumbi.”, tha Lala.