Shkarkimi i zv.dekanit të Inxhinierisë pas deklaratave për dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti, Sindikata me kërkesë urgjente ndaj dekanit: Bëj publike arsyet! (DOKUMENT)

0
364

Pak ditë më parë zv.dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Agim Seranaj u shkarkua nga posti që ai mbante. Mirëpo nisur nga ky shkarkim i papritur që erdhi menjëherë pas deklaratave që Seranaj bëri për dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti ka ardhur reagimi i menjëhershëm i Sindikatës së Punonjësve të Universiteve të Shqipërisë, SPUSH.

Ajo kërkon që dekani të bëjë publike arsyet e shkarkimit të Agim Serjanit.

Përmes një deklarate publike, Sindikata bën me dije se ka regjistruar shqetësime të shumta mbi këtë vendimmarrje, qoftë nga debatet mediatike, reagimet në rrjetet sociale, si dhe në rrjetet akademike profesionale mbi mundësinë e ndikimit në këtë vendimmarrje nga faktorë jashtë universitetit.

Sipas saj, “mjegullës së krijuar i bashkëngjitet dhe mungesa e motivacionit të plotë e shterues brenda vendimit për shkarkimin e zv.Dekanit të FIN”.

“SPUSH kërkon të sigurohet që kjo vendimmarrje është çliruar nga çdo lloj ndikimi, si dhe nuk ka të bëjë me qëndrimet profesionale të zotit Seranaj, qofshin ato të shprehura në media, duke i konsideruara qëndrimet e tij si personale dhe të mbështetura në të drejtën Kushtetuese të shprehjes së lirë të mendimit, qoftë dhe para publikut të gjerë”- thuhet ne deklaratë.

Kujtojmë se Seranaj doli publikisht në media, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që la pas 51 viktima dhe mijëra banesa të shkatërruara, duke numëruar kritika te shumta ndaj institucioneve përgjegjëse në inspektimin e dëmeve dhe ndërtesave të dëmtuara.

Sindikata i kërkon dekanit të FIN dhe rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës, të sigurojnë opinion publik që kjo vendimmarrje nuk ka ardhur si rrjedhojë e presionit nga qeveria.

“Do të ishte në interesin akademik të institucionit tuaj që, deri në informim transparent mbi këtë vendim, të shikohen mundësitë ligjore të pezullimit të zbatimit të tij,” thuhet në deklaratë.

Me 20 dhjetor u njoftua shkarkimi i tij, me firmë të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Neritan Shkodrani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here