Qeveria ka miratuar ligjin për daljen në pension të parakohshëm të policëve dhe përfaqësuesve të Gardës. Me qëllim futjen e të rinjve në radhët e policisë, qeveria ka menduar që të trajtojë me pension të gjithë ato efektivët që kanë mbushur moshën 55- vjeçare dhe pranojnë të largohen nga uniforma blu. Dje ligji për “Trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës” është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe në janar pritet të bëhet miratimi në Parlament.
Kriteret për të përfituar trajtimin financiar
Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur: ka mbushur moshën 55 vjeç; plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë. “Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës; Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës”, thuhet në draft.
Përzgjedhja
Më tej, në draft theksohet se ky trajtimi financiar përfitohet pasi bëhet kërkesë nga punonjësit ose titullarët e institucionit përkatës. Kjo kërkesë miratohet nga Komisioni i Posaçëm, dhe po ky institucion bën përzgjedhjen sipas disa kritereve të moshës dhe vjetërsisë të punës. “Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë”, thuhet në draft. Gjithashtu në draft, në nenin 7, evidentohen detyrimet e përfituesit. “Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar; Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm”, thuhet në draft. Dispozitat kalimtare të këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës të cilët plotësojnë kriteret e sipërpërmendura, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij. “Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik; Trajtimi financiar, i përfituar nga ky ligj, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në draft.
Ornela Çelpica