Lufta Çlirimtare, CIA zbardh detaje nga beteja e Mokrës, gjermanët u ndihmuan nga 1500 trupa të Ballit Kombëtar, ja disfata që pësuan

0
392

CIA ka hedhur dritë mbi të tjera detaje nga Lufta Nacional-Çlirimtare. Në disa dokumente të deklasifikuar nga shërbimi amerikan, tregohet beteja që ndodhi në Mokër. Sipas amerikanëve, gjermanët në bashkëpunim me ballistët sulmuan partizanët, por pësuan disfatë. Operacioni gjerman kundër krahinës së Mokrës Trupat gjermane që morën pjesë në këtë aksion ishin rreth 1500 të ndihmuara nga trupat e Ballit Kombëtar të zonës së Elbasanit. Edhe këtu luftimet zgjatën rreth 10 ditë. Për humbjet e gjermanëve nuk di, por si Balli si partizanët pësuan shumë humbje. Gjermanët shkelën në të tërë Mukjen duke djegur e duke vrarë. Trupat partizane ishin të mundura, por jo të shpartalluara e të shpërndara si në Shpat e në Çermenikë dhe u tërhoqën në krahinën e Gore-Oparit. Operacioni gjerman në Gore-Opar- Këtu ishin rreth 2000 trupa gjermane dhe disa trupa ndihmëse nga Balli Kombëtar. Koha e luftimeve ishte dhjetor 1943-janar 1944. Sulmet gjermane u thyen me humbje të mëdha për ta, ndërsa partizanët i ndoqën duke u përzënë dhe nga Pogradeci që kishin fituar më herët. Luftimet e janarit në Kamje u treguan gjermanëve se kishin arritur në qendër të rezistencës partizane ku ndodheshin forcat e tyre kryesore. Gjermanët nisën sulmin e tyre nga veriu i Shqipërisë në Dibër dhe e vazhduan në jug deri në Gore të Korçës, por e ndërprenë në Kamje. Por kjo ndërprerje ishte momentale pasi ata nisën të organizonin një operacion më të gjerë, me forca më të mëdha, të cilin e nisën në janar 1944. Gjermanët nisën operacionin kundër Beratit, i cili kishte mbetur në duar të partizanëve që prej kapitullimit të Italisë. Rreth 4000 forca gjermane pushtuan qytetin dhe avancuan deri në krahinën e Tomorricës dhe Skraparit, ku dhe u thyen dhe u detyruan të tërhiqen. Operacioni i tyre kundër Drashovicës vazhdoi për njëzet ditë, humbjet gjermane ishin të mëdha, por ata hynë në Drashovicë dhe reprezaljet ishin të mëdha. Gjermanët kryen një operacion të shpejtë në Kurvelesh që nuk ishte një ofensivë shtypëse, por një sulm pa objektiv të qartë që nuk shkaktoi humbje të mëdha, por nuk korri as suksese. Gjermanët patën sukses në operacionet e tyre vetëm në Dibër, Pezë, Çermenikë, Shpat e deri diku në Mokër. Në zonat e tjera suksesi i tyre ishte i përkohshëm. Gjermanët e kuptuan se kjo ishte vatra e rezistencës partizane, prandaj në janar 1944 ata nisën operacionin e madh kundër të gjithë jugut nga shumë drejtime, nga Korça, nga Greqia, nga Berati e Vlora. Ky operacion në zona malore zgjati rreth një muaj dhe morën pjesë rreth 15 000 forca gjermane, përfshi dhe njësi alpine e ndihmën e Ballit Kombëtar. Ky ishte një operacion që është përmendur dhe në komunikatën e kuartierit të përgjithshëm gjerman. Luftime të ashpra u zhvilluan në “Kullat e Gjergjevicës” (Korçë), në Bofnje të Dushariut, në qafë të Gjarprit dhe në Skrapar, në Kurvelesh të Vlorës e disa krahina të Gjirokastrës. Në majin e 1944 gjermanët sjellin përsëri trupa nga Greqia e Jugosllavia për operacionin e përgjithshëm kundër jugut. Këtu kishte shumë trupa por jo me cilësi si komandot e dimrit. Mes këtyre trupave kishte gjermanë, italianë, armenë, polakë e francezë. Kolona e tyre nisi sulmin që nga Struga e Maqedonisë dhe u ndal në Kamje, ku u thye. Kolona e nisur nga Elbasani u sulmua kur ishte duke kaluan lumin Shkumbin dhe u thye me humbje të mëdha. Një tjetër kolonë u godit në lumin Devoll pranë Gjinikasit dhe aty u ndal. Kolona e nisur nga Pogradeci avancoi drejt Skraparit, ashtu si dhe ajo e Korçës në drejtim të Beratit e Kolonjës. Kjo ishte më shumë një mësymje e shpejtë dhe jo një ofensivë e rregullt. Shumë fshatra në rrugën e autokolonave u dogjën e u vranë, por partizanët nuk pësuan humbje të mëdha. Pikërisht gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Divizioni I-rë partizan që ndaloi përparimin e gjermanëve në Shqipërinë e Mesme, kapërceu lumin Shkumbin dhe nisi ofensivën drejt veriut duke kryer me sukses këto operacione: Luftimin për çlirimin e Dibrës, duke dëbuar gjermanët; Luftimin për çlirimin e Zabzunit, duke thyer gjermanët në Homesh; Luftimet kundër bajraktarëve të Krujës, Lurës, Mirditës etj. Tërheqja gjermane Kjo ishte koha kur gjermanët po humbisni terren dhe po mendonin vetëm të tërhiqeshin nga Ballkani. Ata nuk kishin forca që të merreshin me ndjekjen e çetave fantazmë në male, si në veri dhe në jug. Gjermanëve në këtë kohë u interesonte mbajtja e disa rrugëve ose korridoreve për tërheqjen, siç ishin ato Vlorë-Tiranë-Shkodër-Jugosllavi dhe Korçë-Manastir-Kosovë (Jugosllavi). Një luftim i rëndësishëm me gjermanët në këtë periudhë të fundit ishte beteja për çlirimin e Tiranës. Forcat partizane që morën pjesë ishin Divizioni I-rë dhe disa brigada autonome, sëbashku me Divizionin e IV-t. Fundi i luftës guerile në betejën e Tiranës u vendos nga beteja në Krrabë mes partizanëve dhe prapavijës gjermane që vinte nga Greqia. Në këtë betejë gjermanët pësuan humbje të mëdha dhe furnizimet dhe armatimet e prapavijës ranë në dorë të partizanëve. Në Krrabë u vranë, u plagosën ose u zunë rob rreth 1500 gjermanë. Edhe për forcat partizane beteja e Tiranës shkaktoi më shumë humbje se çdo betejë tjetër, por jo në Kërrabë, brenda qytetit. Kjo sepse gjithmonë ai që sulmon në qytet pëson më shumë humbje se ai që mbrohet në ngrehinë. Për marrjen e Shkodrës nuk është bërë asnjë luftë. Për marrjen e Korçës janë bërë vetëm disa shkëmbime zjarri pasi gjermanët ishin në tërheqje. Sikur të ishin sulmuar gjermanët brenda Korçës qyteti do të qe shkatërruar i gjithi. Kjo taktikë është ndjekur nga partizanët edhe në Vlorë, Gjirokastër e Kukës. (Shifrat që jap janë të gjitha me rezerva, ashtu si dhe emrat e luftimeve. Jo sepse i kam dhënë gabim, por mund të mos i kem vënë të tëra. Ku mbahen mend pas 15 vitesh). Periudha e tretë përfshin kohën nga nëntori 1944 deri në maj të vitit 1945, domethënë deri në dorëzimin pa kushte të Gjermanisë. Gjatë kësaj periudhe trupat partizane luftuan kundër gjermanëve në tokën jugosllave. Trupat partizane përbëheshin nga Divizioni V-të dhe i VI-të. Efektivat kanë luftuar në Malin e Zi, në Kosovë e në Serbi. Emrat nuk i mbaj mend, por e di se mjaft qytete në Bosnje, Kosovë e Mal të Zi janë çliruar nga repartet e këtyre divizioneve. Mbarimi i luftës i gjeti ata në zemër të Bosnje-Hercegovinës. Më pas ata u kthyen në Kosovë, ku u morën me çarmatosjen e popullsisë shqiptare dhe ruajtjen e rendit. Kjo është bërë me kërkesë të Titos pasi shqiptarët e Kosovës nuk donin të dorëzonin armët dhe qytetet e partizanëve jugosllavë. Divizionet shqiptare me flamurin shqiptar e kryen më së miri punën e Titos. Organizimi i Ballit Kombëtar Cilët kanë qenë organizatorët e Ballit Kombëtar, sa anëtarë numëronte, në cilat krahina vepronte dhe cili ka qenë aktiviteti i tij? Cilat ishin luftimet kryesore me okupatorët ose me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare? Arsyet e dështimit. Kanë kaluar më shumë se 12 vjet nga koha kur është organizuar Balli Kombëtar. Unë personalisht nuk kam qenë anëtar as simpatizant i kësaj organizate prandaj dhe të dhënat e mia do të jenë të pakta. Shumicën e krerëve të kësaj organizate as që i kam parë ndonjëherë dhe tashmë emrat e tyre janë zhdukur nga skena politike në Shqipëri. Balli Kombëtar si organizatë politike u krijua nga individë nacionalistë me pikëpamje e ide jo krejt të përbashkëta. Krerët ballistë ishin nacionalistë shqiptarë që e kuptuan lojën politike të komunistëve dhe nuk pranuan të nënshtroheshin te ajo duke hyrë në Frontin Nacional-Çlirimtar. Iniciativa për Ballin Kombëtar erdhi nga nacionalistë anti-zogistë që ndodheshin në Shqipëri para vitit 1939, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Kol Tromara, Eqrem Libohova etj. dhe të gjithë elementët intelektualë me një të kaluar politike dhe influencë në sferat e larta të shoqërisë së atëhershme shqiptare. Kishte gjithashtu nacionalistë anti-zogistë që ndodheshin në emigracion gjatë regjimit të Zogut dhe u kthyen pas prillit 1939 si Ali Këlcyra, Beqir Valteri, Bari Omari, Koço Muka, Skënder Çami dhe të tjerë, ose intelektualë ose shtresa të mesme me influencë. Kishte gjithashtu disa intelektualë demokratë nacionalistë si bij bejlerësh e pasanikë qytetesh, si Zef Pali, Safet Butka, Abaz Ermenji etj., që ishin disi më të rinj se dy kategoritë e para. Kishte pronarë tokash, bejlerë e feudalë pa të kaluar politike, të cilët i trembeshin programit të Partisë Komuniste si: Biçakçiu, Maliq Bushati etj. Shumë nga këta eksponentë të Ballit nuk jetojnë më. Disa vdiqën nga vdekje natyrale në Shqipëri ose në emigracion (Eqrem Libohova, Mit’hat Frashëri), të tjerë u vranë gjatë luftës si Safet Butka, Skënder Çami, ndërsa të tjerët u dënuan me vdekje në gjyqet që u zhvilluan pas “çlirimit” në Shqipëri, siç ishin Bari Omari, Beqir Valteri, Maliq Bushati, Fazlli Frashëri, Irfan Ohri etj. Ata që kanë mbetur gjallë në emigracion nuk e di me çfarë merren tani. Di vetëm se pas disfatës së plotë të Ballit dhe arratisjes së organizatorëve të tij në Itali e gjetiu, ata vijuan aktivitetin ose krijuan grupe të tjera me parime të ngjashme. Njohuritë e mia janë të pakta mbi çështjen, nuk e njoh numrin e anëtarëve të organizatës, por ajo nuk ka pasur bazë apo strukturë organizative. Në të sundonte paria feudale, por kam përshtypjen dhe po të pyetej Mithat Frashëri, po të ishte gjallë, mbi numrin e anëtarëve të Ballit nuk do dinte ç’të thoshte. Tani që mbarova me të panjohurat e kësaj pyetjeje, kaloj në çështjet ku mund të them diçka më tepër, si historia e Ballit gjatë viteve të para të ekzistencës së tij. Unë do ta ndaja atë në katër periudha kryesore: periudhën përgatitore, periudhën fillestare, periudhën e izolimit dhe atë të disfatës. Përçarjet mes komunistëve Partia Komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetash janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz, por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000. Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoltës të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësisht largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës) dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin. Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët. Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike; Fundi i luftës civile në Greqi; Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit. Situata politike në Shqipëri (1952) Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty, por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i Partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t’i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit. Kushtet ekonomike: Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here