Çfarë e ka alarmuar Ilir Metën që është hedhur në sulm ndaj amerikanëve?

0
400

Ashtu si Enver Hoxha gjatë sundimit të tij, apo si Berisha më pas në vitin 1997, Ilir Meta shkakun e halleve të tij ka filluar ta shohë te ndërkombëtarët. Prej javësh kishte nisur të godiste ambasadorët, ndërsa dje çmenduria arriti majat. Presidenti, që pretendon se i shërben unitetit të popullit, akuzoi ambasadën e SHBA se është kthyer në rrugë për trafikim heroine e kokaine, ndërsa ambasadorët i cilësoi palaço e hipokritë. Por sjelljet e fundit tregojnë qartë se presidenti po del nga vetja nga dita në ditë. Nderimi që i bëri dje ushtarit të gardës tregon shumë për situatën ku ndodhet kreu i shtetit. Por çfarë e shqetëson realisht Ilir Metën? Pse po sulmon fort SHBA? Pse po lufton kaq fort për të bllokuar Kushtetuesen? Askush nuk e beson se halli i Metës është mbrojtja e Kushtetutës. Madje as ata që i rrinë nga pas nuk e besojnë. Halli i tij është tjetër kund dhe shumica e shqiptarëve e dinë. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po afron dhe përballë saj nuk mund të përsëritet historia e vitit 2012, ku videoja e 700 mijë eurove u cilësua e pavlefshme. Tani gardianët e SPAK do jenë amerikanët dhe falë tyre kushdo që ka futur duart në xhepat e shqiptarëve, do të duhet të mbajë përgjegjësi penale. Shumë politikanë janë të rrezikuar, por duket se në krye është Ilir Meta. Në Rumani e Kroaci goditjet e para kanë ardhur me funksionarë të lartë, kryesisht me ish-kryeministra. Berisha është kartë e djegur tani dhe askujt nuk i intereson të merret me të. Pas tij sigurisht që vjen Meta. Halli tij është se do shkarkohet shumë shpejt dhe nuk ka asnjë lloj imuniteti përballë drejtësisë së re. Deri më tani duket qartë se SHBA e mbështet një gjë të tillë. Ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, Meta ka deklaruar pasurinë miliona eurosh dhe aty duket se fle lepuri. “Zonja e parë” në çdo dalje televizive tenton të justifikohet se si e ka bërë pallatin, ndërsa nuk flet për 140 mijë paundët që shpenzon në vit për shkollimin e fëmijëve në Londër. Po ashtu nuk flet si u ndërtua vila miliona eurosh në Gjirin e Lalëzit, për të mos thënë për dubleksin dhe apartamentet e tjera në Tiranë. Sigurisht që me ngritjen e SPAK të gjithë politikanët duhet të japin llogari për pasuritë. Kush nuk e justifikon shkon për ndjekje penale dhe i sekuestrohet. Me kaq shumë prona sa ka Meta duket qartë se ka hall të madh. Problemi i dytë i tij është se po i hiqen duart nga sistemi i drejtësisë. Nuk është më kryetar i KLD dhe nuk bën dot më emërime gjyqtarësh e prokurorësh. Po ashtu dhe për Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë i ka kompetencat e kufizuara. Vetingu ka shfarosur gjithë piramidën e kalbur të kapur nga Meta e Berisha dhe kjo i ka vënë alarm. Një shembull i thjeshtë është trupa gjyqësore që i dha pafajësi për aferën 700 mijë euro. Dvorani po sulmohet, ndërsa 4 të tjerët janë shkarkuar apo dorëhequr. E gjitha kjo është bërë me ndihmën e amerikanëve. Për ta reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe kush tenton ta bllokojë do vuajë pasojat. Gruevski u doli kundër në Maqedoni dhe sot është i arratisur. Meta i sfidoi disa herë, që nga kufiri Kosovë-Serbi, e deri te reforma në drejtësi. Tani presidenti e ka kuptuar se ka hyrë në listën e zezë dhe po tenton të trembë SHBA, ashtu si Haxhi Qamili dikur. Kur e serbët i kërkuan t’u hapte rrugën, ai i shkroi Kralit serb se unë të bëj këtë e atë. Por kur i thanë se ai ka pas Francën e Anglinë, Haxhi Qamili u shpreh se unë kam Peqinin e Kavajën. Edhe Meta po sfidon SHBA me Tit Vasilin, e Bujar Nishanin.

Nga Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here