Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detajet nga gjyqet komuniste, që në fillimet e Partisë Komuniste dhe vitet më pas.
31 janar 1957
Raport Partia e Punës
(Vijon nga numri i kaluar)
Përshkrimi i gjyqeve më të rëndësishme që janë zhvilluar në Shqipëri
Do të mundohem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, por fillimisht dua të theksoj se boshllëqet në kujtesën time janë të mëdha. Zakonisht shumica e gjyqeve politike janë zhvilluar me dyer të mbyllura, sidomos në vitet 1947-1948, periudhë në të cilën janë dënuar një numër i madh personash. Si parim orientues është fakti se gjyqet ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit ndahen në disa periudha me karakteristika që lidheshin me orientimin politik të Tiranës; Në periudhën e parë të pas çlirimit gjyqet politike drejtoheshin kundër elementëve që bashkëpunuan me okupatorin italo-gjerman dhe kundër elementëve të njohur si ballistë e legalistë. Arsyeja që drejtësia komuniste goditi në këtë kohë këtë kategori njerëzish është se nën maskën e “shërbyesve të okupatorit” partia tentonte të zhdukte kundërshtarët e saj politikë, e pastaj në rend të dytë elementin pasanik të fshatit e të qytetit, për të shtetëzuar pasurinë e tyre. Qëllimi i partisë është të diskreditojë lëvizjet e Ballit e Legalitetit duke dërrmuar mbetjet e tyre, të monopolizojë nacionalizimin duke paraqitur si tradhtarë kundërshtarët e saj politikë.
Gjyqet më të rëndësishme
Tri janë gjyqet më të rëndësishme të kësaj periudhe; Gjyqi special kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit i drejtuar nga Koçi Xoxe me prokuror Bedri Spahiun. Shumica e të pandehurve ishin ish-ministra në qeveritë kuislinge, ish-anëtarë të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, publicistë të propagandës italo-gjermane në Shqipëri, oficerë të lartë si Irfan Ohri, Bari Omari, Hilmi Leka, Gjergj Bubani, Rrok Gera, Koço Kota, Abedin Nepravishta etj. Shumica e këtyre të pandehurve u dënuan me vdekje ose burgim të përjetshëm. Ky gjyq është zhvilluar në mars 1945. Ndërkohë nëpër qytete të tjera po zhvilloheshin gjyqe të tjerë kundër “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, por me të pandehur e nivelit më të ulët ose të nivelit krahinor. Gjyqi special kundër ushtarakëve bashkëpunues me okupatorin kishte të pandehur të rangut kombëtar si oficerë të lartë (major, kolonel) qofshin të ushtrisë shqiptare që mbajtën uniformën dhe shërbyen në kohën e okupacionit. Mes tyre mbaj mend Osman Gazepin, kolonel Nasim Velo, etj. Emrat e personelit të gjyqit nuk më kujtohen (ndoshta ka qenë prokuror Navzat Leskoviku). Dënimet e këtij gjyqi kanë qenë si të të parit, jashtëzakonisht të rënda; me vdekje ose burgim të përjetshëm për shumicën dërrmuese të të pandehurve (gjyqi është zhvilluar në seanca të ndryshme në pranverë e verë 1945, duke shqyrtuar rastet e rreth 100 të të pandehurve). Gjyqi special kundër “Regjencës” u bë kundër anëtarëve të trupës mbretërore gjatë kohës së pushtimit, që ishin 3 persona, të cilët u dënuan të gjithë me vdekje (emrat e tyre nuk më kujtohen, prokuror ishte Misto Treska).
Kleri katolik
Në vitin 1946 goditjet e partisë kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit kishin marrë fund dhe u fokusua në goditjen e klerit katolik në Shkodër, pasi kjo ishte e vetmja forcë anti-komuniste në Shqipëri që ishte disi e organizuar. Sado që gjyqet u zhvilluan në Shkodër ato kishin karakter kombëtar. Akuzat e komunistëve kundër klerik katolik ishin “marrëveshje me fuqitë e huaja për rrëzim me dhunë të pushtetit komunist”. Ata ngritën akuzën e rreme se kishte armë të fshehura në kishat katolike dhe dokumente që vërtetojnë lidhjet e të pandehurve me Vatikanin për veprimtari subversive kundër Shqipërisë. Të pandehurit ishin të gjithë klerikë, si Pater Shllaku, Pater Bernardini, Pater Prendushi etj. etj. Dënimet edhe në këtë rast ishin pushkatim ose burgim i përjetshëm. Krahas gjyqit kryesor kundër klerikëve, u zhvilluan dhe gjyqe të fshehta kundër të pandehurve më pak të rëndësishëm të lidhur me të dënuarit kryesorë. Si rezultat i këtyre gjyqeve u terrorizua i tërë kleri katolik dhe u thye rezistenca e tij e hapur ndaj komunistëve. U bënë zëvendësime në hierarkinë e lartë të kishës dhe me rrugën e dhunës u forcuan pozitat e partisë edhe në këtë kështjellë të atëhershme të anti-komunizmit siç ishte Shkodra. Periudha e tretë e gjyqeve politike përfshin vitin 1947 deri në verën e vitit 1948 dhe u përdor për të eliminuar elementët nacionalistë që kishin bashkëpunuar me partinë deri atëherë, të cilët partia i kishte joshur në kohën e luftës me premtime për shtet ligjor e demokratik pas çlirimit. Shumica e tyre ishin larguar dy vitet e fundit nga partia, pasi kishin parë metodat ekstremiste dhe këtë e ata e kishin deklaruar dhe në fjalimet e Kuvendit Popullor pasi shumë prej tyre ishin deputetë. Gjyqi qendror i kësaj periudhe ishte ai që njihet si gjyqi kundër grupit të deputetëve. Trupi gjykues i këtij procesi ka pasur kryetar Niko Çeta dhe prokuror Josif Pashko. Të pandehurit ishin të gjithë deputetë nacionalistë si Riza Dani, Shefqet Peja, Bab Karbunara, Kosta Boshnjaku, Ali Shtepani, Kosta Kuqani etj. etj. Këta elementë i kishin dhënë partisë të gjithë ndihmën e tyre morale e politike gjatë luftës dhe në periudhën menjëherë pas çlirimit. Mirëpo radikalizmi i majtë i mëvonshëm i komunistëve i largoi ata nga partia duke i kthyer në njëfarë opozite të ligjshme parlamentare. Për arsye që kuptohen, partia deshi ta dërrmojë këtë opozitë dhe bashkë me të dhe bashkatdhetarët e tjerë që kishin nisur të krijonin probleme kohët e fundit. Edhe në këtë rast dënimet ishin shumë të rënda. Duke marrë pretekst nga grupi i deputetëve dhe me qëllim të terrorizojë më tepër elementin kundërshtar, partia e lidhi këtë “organizatë” me një varg organizatash të tjera ilegale e subversive. Kështu krahas gjyqit special të grupit të deputetëve u zhvilluan një seri gjyqesh me dyer të mbyllura kundër këtyre grupeve të tjera:
a) Grupit tekniko-intelektual, ku ishte kryetar Gjon Banushi dhe prokuror Faik Minarolli. Shumica e të pandehurve ishin inxhinierë ose teknikë në puset e naftës në Kuçovë, mekanikë në centralet elektrike ose motorët, si Pandi Korça, Ali Zajmi, inxhinier Petraqi etj (ky gjyq ka qenë një koje e “gjyqit të spiunëve shahistë” në Rusinë e viteve 1926-1927 kundër teknikëve). Të pandehurit u akuzuan për lidhje me SHBA në planin ndërkombëtar dhe me grupin e deputetëve në planin kombëtar.
b) Gjyqi i grupi social-demokrat u bë gjithashtu me dyer të mbyllura kundër ish-anëtarëve që shiheshin me dyshim nga partia. Kryetar ishte Gjon Benushi, prokuror Faik Minarolli. Të akuzuarit ishin Arif Gjyli, Nexhmi Ballka, Sabri Dajlani, të cilët u akuzuan si bashkëpunëtorë me SHBA dhe me grupin e deputetëve.
c) Gjyqi kundër grupit SBS (Secret Balkans Service) ku shumica ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët ishin internuar nga pushtuesi në Itali. Ata ishin çliruar nga trupat amerikane dhe në 1944 ishin kthyer në Shqipëri. Gjyqi u drejtua nga Banushi me prokuror Minarollin, me të pandehur Spiro Dhima, Hasan Roçi, Ndue Gjoni, Ndue Gjoka, Vasil Vasili e të tjerë. Të pandehurit akuzoheshin se ishin vënë në shërbim të spiunazhit amerikan para kthimit nga Italia, se kishin kryer kurse të posaçme, apo të tjera si këto.
Të gjithë këta gjyqe janë zhvilluar në Tiranë, por ka pasur gjithashtu një seri gjyqesh kundër të ashtuquajturave filiale të grupit të deputetëve që janë kryer në Korçë, Gjirokastër, Shkodër etj. Karakteristikë kryesore e këtyre gjyqeve ka qenë goditja e SHBA si fuqi imperialiste agjenture, që u theksua më shumë pas largimit të misioneve amerikane dhe britanike nga Shqipëria. I tillë ishte dhe gjyqi i Maliqit ku ishte prokuror Nevzat Leskoviku dhe të pandehur ishin Hanz Vala (shtetas shqiptar) Gaqo Mano (shtetas shqiptar), Zorika Mano (shtetase jugosllave) Mario Guarnieri (italian) doktor Rizzo (italian), e shumë të tjerë që u dënuan për sabotim në punimet e tharjes së kënetës së Maliqit, sipas udhëzimeve të marra nga misioni civil amerikan në Tiranë dhe nga misioni ushtarak britanik. Por këtë periudhë dua të theksoj se shumë nga elementët e implikuar u burgosën me një perspektivë që i kapërcente kufijtë e grupit të deputetëve dhe nuk shiheshin me sy të mirë nga titisti Koçi Xoxe.