Militantë islamistë kanë sulmuar sot një bazë ushtarake ku SHBA stërvit komandot në Somali, duke shkaktuar disa viktima. Rezidentët vendas raportonin për shpërthime dhe shkëmbime të ashpra zjarri në bazën ajrore Baledogle në jug të rajonit Shabelle. Grupi militant al-Shabab mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se përdori një makinë bombë për të shpërthyer dyer e për të dërguar më pas brenda luftëtarët. Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi ishte sprapsur ndërsa Al-Shabab tha se sulmi vazhdonte ende. “Pas çarjes së perimetrit të bazës së fortifikuar, muxhahajdinët sulmuan në brendësi të kompleksit duke luftuar me kryqtarët”, thuhej në deklaratë. Baza gjendet rreth 100km larg kryeqytetit Mogadishu, dhe besohet se strehon forca speciale amerikane, forca speciale somaleze dhe paqeruajtës nga Uganda. Ajo është përdorur për stërvitje dhe për ngritjen e dronëve SHBA.