Meta përçan socialistët, siguron mbështetje nga disa deputetë për t’i mbijetuar shkarkimit, Presidenti lobim të fuqishëm në selinë rozë

0
280

Nisma e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta nga detyra ka trazuar ujërat brenda Partisë Socialiste. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se Meta është vënë në lëvizje dhe ka nisur lobimet pranë deputetëve të mazhorancës, por edhe atyre të opozitës së re parlamentare, duke tentuar që t’i bindë ata që të votojnë kundër shkarkimit të tij nga detyra. Por kjo strategji e ndjekur nga kreu i shtetit duke se po jep efektet e para. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, Meta ka nisur një lobim të fuqishëm në selinë rozë, teksa mësohet se ka gjetur mbështetje nga disa deputetë, në mënyrë që t’i mbijetojë shkarkimit. Kështu, të parët që janë rreshtuar krah Metës janë disa deputetë të mazhorancës, të cilët prej kohësh njihen si “besnikë” të tij në rrugëtimin e gjatë në politikë. Ndërkohë që, mësohet se garanci kreu i shtetit ka marrë edhe nga disa deputetë të PS, të cilët kanë qenë ish-ministra në qeverinë e Ramës gjatë këtyre 6 viteve që Partia Socialiste është në pushtet. Pra, të gjitha këto detaje tregojnë se kreu i shtetit ka përçarë socialistët, strategji të cilën pritet ta përdorë për të imunizuar veten nga një shkarkim i mundshëm nga posti i Presidentit të Republikës.

Meta përçan socialistët

Por këto nuk janë të vetmet manovra që Presidenti Meta po përdor për të mbrojtur veten, në kushtet kur vendosmëria e kryeministrit Edi Rama për ta shkarkuar atë nga detyra sa vjen dhe forcohet. Mësohet se disa nga deputetët socialistë që deri më dje kanë qenë “armiq” të betuar të Metës dhe që në çdo deklaratë adresonin akuzat më të rënda për të, çuditërisht janë distancuar. Gazeta u përpoq që të merrte disa reagime nga deputetët e PS, sa i takon retorikës së ashpër që Meta po përdor kundër mazhorancës dhe thirrjet e tij për të përmbysur me dhunë qeverinë, por ata refuzuan të përgjigjen. Disa prej tyre kamufloheshin se ishin të zënë, ndërsa disa të tjerë u mjaftuan me reagime të thata që nuk shkonin më shumë se një fjali. Pra, edhe këto detaje tregojnë se Meta ka impakt brenda Partisë Socialiste, ku padyshim gjithë synimi është që t’i përdorë deputetët socialistë për të votuar kundër shkarkimit të tij nga President. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se Presidenti Meta ka nisur lobimet edhe në radhët e deputetëve të opozitës së re, disa prej të cilëve janë “shitur” tek ai. Sinjali i pari u dha pak ditë më parë gjatë një mbledhjeje të komisionit hetimor, ku anëtarët e opozitës kërkuan shtyrjen e këtij komisioni deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kështu që, Meta si një lojtar i vjetër në politikë duket se ka nuhatur këtë situatë konfuze në radhët e deputetëve, duke nisur edhe lobimin pranë tyre. Sipas informacioneve, mësohet se ai ka marrë garanci nga disa prej deputetëve të opozitë së re, se do të votojnë kundër shkarkimit të tij, nëse Kuvendi vendos ta shkarkojë atë nga detyra. Sipas ligjit, shkarkimi i Presidentit nga detyra kërkon 94 vota, ndërkohë që votimi për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës nga detyra u bë me 101 vota. Por duke qenë se lëvizin pak vota, Meta është hedhur në sulm, në mënyrë që të fitojë sa më shumë zëmrat e deputetëve. Madje, mësohet se ai po përdor si kartë pro tij edhe faktin se votim final për shkarkimin do bëhet i fshehtë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në tetor se çfarë do të ndodhë më konkretisht, pasi mundësitë që mazhoranca qeverisëse t’i sigurojë 94 votat që i duhet për shkarkimin e Metës nga detyra janë të mëdha.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here