Forcat “Shqiponja” i kanë kthyer biçikletat në kohë rekord dy turistëve gjermanë, të cilat ishin vjedhur nga një 19-vjeçar. Fillimisht autori u ndoq nga Policia, por arriti që t’i largohej efektivëve dhe të humbte gjurmët.
Ka qenë një qytetar që kishte parë momentin e vjedhjes, i cili njoftoi policinë për vendndodhjen e të riut. Ndjekja ka filluar sërish dhe ka qenë pikërisht ky momenti kur autori braktisi biçikletat për t’i shpëtuar efektivëve blu.
Mjetet iu kthyen dy pronarëve, të cilat nuk i kursyen falendërimet për “Shqipnjat” e Fierit. Tashmë në kërkim nga Policia është shpallur 19-vjeçari me inicale K. M.
NJOFTIMI I PLOTË:
Fier
Policia e Fierit falë bashkëpunimit me qytetarët u gjen në kohë rekord dy turistëve biçikletat që u kishte vjedhur një 19-vjeçar
Gjatë ndjekjes nga Policia autori mundi të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Në zonën e quajtur “Azotiku”, një shtetas u kishte vjedhur biçikletat dy turistëve gjermanë, duke shfrytëzuar momentin kur këta të fundit ishin duke filmuar.
Një qytetar, i cili kishte parë momentin e vjedhjes, njoftoi policinë dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nis njësia “Shqiponjat”, e cila u vu në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, autori braktisi biçikletat në lagjen e romëve dhe arriti të largohet. Policia po punon për kapjen e shtetasit K. M., 19 vjeç dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.
Shërbimet e Policisë “Shqiponjat” u kanë dorëzuar biçikletat turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar Policinë për gjetjen e tyre.
Policia e Fierit falënderon qytetarin për besimin, bashkëpunimin dhe reagimin qytetar, pasi raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e vendit dhe fton cilindo që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose në “Komisariatin Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.