Vllaznia është një prej skuadrave që po kalon momente të vështira në elitën e futbollit shqiptar. Pasi kaloi një edicion në Kategorinë e Parë, pra inferiore, u rikthye sërish në Superiore, por ka problemet e vjetra, probleme që kanë lidhje me politikën. Klubi shkodran ka mangësi në administrim, edhe pse buxheti i bashkisë për klubin në tërësi ka qenë i mirë. Në fakt, me letra Vllznia ka marrë afro 1 miliard lekë të vjetër nga Bashkia e Shkodrës, prej të cilave për skuadrën kanë shkuar mbi 700 milionë lekë, por këto para nuk administrohen si duhet, pasi sjellja është si “në mall të tjetrit”. Mungon një administrator serioz ose një president, i cili të fusë në “rresht” lojtarët dhe stafin e të kërkojë llogari. Në këto rrethana, Vllaznia ka funksionuar “bjeri t’i biem”, pa pasur objektiva të mirëfillta dhe me probleme serioze. Duke munguar të aftët në detyrat konkrete, ka munguar cilësia dhe merkato bëhet më shumë si pazar i ditës sesa një strategji për të rritur vlerat e klubit. Këtë e dëshmon më së miri faktis e Vllznia ka pak cilësi, pavarësisht se ka akademinë më të mirë në Shqipëri sa i takon prodhimit të talenteve. Pra Vlalznia keqadministrohet dhe privatizimi i klubit si proces, edhe pse i premtuar ka dështuar tërësisht. Simbolika më e mirë e përshkrimit të situatës është protesta e punonjësve të klubit për pagat e prapambetura prej 5 muajsh. Megjithatë, Vllaznjia duket se po i lë pas të gjitha dhe po u kushtohet përgatitjeve të saj, në kuadër të sfidës me Teutën, duel që do të luhet sot në Durrës. E thënë ndryshe me kuqeblutë, pas përfundimin e pauzës së shkurtër për shkak të ndeshjeve të kombëtares, vëmendja rikthehet në Superiore. Shkëputja, në fakt, erdhi si bekim për Vllaznisë, që ndryshe nga rivalët e tjerë i nisi me vonesë përgatitjet. Pikërisht sot kuqeblutë luajnë në “Niko Dovana” ndaj Teutës, që kërkon maksimumin ne fushën e saj. Gjithsesi, trajneri Mirsad Jonuz është shfaqur optimist në konferencën për shtyp të dhënë ditën e djeshme, duke thënë se Vllaznia e tij nuk do të kthehet nga Durrësi pa pikë. Në fillim ai foli për situatën në grup dhe gjendjen e lojtarëve. “Gjendja skuadrës ka qenë përgjithësisht e mirë gjatë këtyre ditëve, me përjashtim të ndonjë problemi të dy-tre lojtarëve. Krymi ka ende shqetësime dhe nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur nesër, po ashtu edhe Gligorov, i cili herë duket mirë dhe herë i shfaqen problemet që ka pasur në kavilje që prej ndeshjes së parë me Laçin. Edhe Emerson ka shqetësime, por prej tri ditësh ka nisur stërvitjen me grupin. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj Teutës. Pjesa tjetër e lojtarëve gëzon formë të mirë”, theksoi Jonuz, dukshëm entuziast për pozitën e tij. ai e pranon se dueli me Teutën është një transfertë e vështirë, por ai beson se Vllaznia e ka staturën për të marrë maksimumin nga kjo përballje. “Kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje. Jemi ndeshur me këtë kundërshtar në miqësore, para pak kohësh në Korçë. Pra, deri diku e njohim Teutën, por edhe ata na njohin ne. Sa bukur do të ishte të fitonim, por kam besimin se nuk kthehemi pa pikë nga Durrësi”, shtoi trajneri Jonuz. Në fund ai i rikthehet gjendjes së grupit të tij, duke thënë se ka shumë lojtarë që kanë ardhur vonë në skuadër dhe kërkojnë kohën e nevojshme për përshtatje me pjesën tjetër të grupit. Me pak fjalë Jonuz përpiqet të shmangë çdo gjë që ka të bëjë me krizën e klubit, në fakt një pozicion që i shkon trajnerit që duhet të krijojë besim në radhët e grupit. “Forma e kuqebluve: Vllaznia po rritet, shumë prej lojtarëve kanë ardhur vonë dhe duan kohën e tyre për t’u ingranuar me skuadrën. Jam i bindur se skuadra ime do të rritet nga ndeshja në ndeshje”, theksoi në fund trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz./Adriatik BALLA